Kosova e kishte refuzuar lidhjen me këtë gazsjellës: Vuçiq me fjalë të mëdha për projektin e gazit në Greqi, i cili sfidon gazin rus
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët europianë, kanë filluar të zgjerojnë projektet e gazit, të cilat sfidojnë gazin rus. Njëri prej tyre është edhe ai në të cilin sot kanë filluar punimet në Aleksandropolis të Greqisë, nga ku do të ndihmohet Europa dhe Ballkani për të mos qenë të varur nga gazi rus. SHBA kishte ofruar 200 milionë dollarë ndihmë për Kosovën, që të ndërtonte infrastrukturën për t’u lidhur me këtë furnizues të gazit, por qeveria e drejtuar nga Albin Kurti e kishte refuzuar. Por, në anën tjetër, Serbia e cila është pothuajse 100% e varur nga gazi rus, dhe aleate e shtetit të Putinit, duket se ka filluar të ndërrojë pozicion. Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, sot mori pjesë në inaugurimin e këtij projekti, ku në prani të kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis, tha fjalë të mëdha për projektin.
Të martën, Greqia nisi një terminal të gazit natyror të lëngshëm i cili po zhvillohet në Aleksandropolis, që synon të ndihmojë Evropën dhe Ballkanin të bëhen më pak të varur nga furnizimet ruse, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Terminali LNG është një “fener që dërgon një mesazh të dyfishtë: se me përfundimin e tij së shpejti do të jemi në gjendje të çlirohemi nga gazi që vjen nga burimet ruse dhe se vendet tona po marrin një rol të përbashkët në hartën e re të energjisë”, tha kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis.
Terminali do të jetë një “portë e re energjetike” për në Evropë, tha ai në një fjalim në një ceremoni ku morën pjesë presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel, Presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrat e Bullgarisë, Kiril Petkov dhe Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovacevski.
Ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi gjatë ceremonisë se ndërtimi i terminalit të gazit të lëngshëm natyror (LNG) në Aleksandropolis të Greqisë, është i rëndësishëm “për të gjithë rajonin, mbarë Ballkanin”, duke thënë se më parë ishte skeptik se do të duheshin vite për diçka të tillë.
“Tani që shoh se kjo është bërë, ne jemi shumë mirënjohës dhe të gatshëm të marrim sasi të mëdha gazi në të ardhmen. Ne duhet të përmirësojmë infrastrukturën e gazit në vendin tonë dhe të ndërtojmë sisteme për t’u lidhur me miqtë bullgarë. Atëherë do të jemi në gjendje të pranojmë sasi të mëdha gazi,” tha Vuçiq në fjalimin e tij në këtë ceremoni.
Për dallim nga Serbia e Maqedonia e Veriut, Kosova nuk ishte e pranishme në inaugurimin e këtij projekti, pasi Qeveria e Kosovës në fund të vitit të kaluar kishte refuzuar që grantin amerikan prej 200 milionë dollarësh ta orientojë në ndërtimin e infrastrukturës së gazit që Kosovën do ta lidhte me këtë projekt.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti kishte hedhur poshtë akuzat e partive opozitare se po i dëmton marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke anuluar një projektin e gazsjellësit. Ai theksoi se qeveria nuk e braktisi këtë përpjekje dhe vuri në dukje se duhen studime dhe më shumë informacion.
Ministrja e Ekonomisë së Kosovës Artane Rizvanolli kishte thënë se granti nuk humbet dhe se fondet do të drejtohen për projekte të tjera energjetike që do të zhvillohen. Ajo tha, se fokusi do të jetë në ruajtjen e energjisë, rrjetin elektrik dhe aftësitë për fuqinë punëtore, veçanërisht gratë.
Megjithatë, mund të konstatohet se Kosova, edhe nëse nuk ka hequr dorë nga ky projekt i gazit, ajo kishte refuzuar që granti amerikan në vlerë prej 200 milionë dollarë të orientohet në këtë projekt.