Raportimet: Putin do t’i nënshtrohet një operacioni për kancer, pushtetin do t’ia transferojë “përkohësisht” ish-shefit të FSB-së
Presidenti rus Vladimir Putin do t’i nënshtrohet një operacioni të kancerit gjersa pushtetin do t’ia dorëzojë përkohësisht ish-shefit të policisë federale, sipas raportimeve të fundit.
Kanali – i cili supozohet se drejtohet nga një ish-gjeneral-lejtnant i Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme Ruse, i njohur me pseudonimin “Viktor Mikhailovich” – raportoi se Putinit i është thënë nga mjekët se duhet t’i nënshtrohet një operacioni kirurgjik, raporton nypost
Sipas raportit të pakonfirmuar, operacioni dhe rikuperimi i parashikuar pritet të paaftësojë për “një kohë të shkurtër” Putinin, transmeton Telegrafi.
“Putini nuk ka gjasa të pranojë të dorëzojë pushtetin për një periudhë më të gjatë kohore”, shkruan në mesazh, duke shtuar se Patrushev do ta kontrollojë vendin jo më shumë se dy deri në tre ditë.
“Unë do të them se kjo është alternativa më e keqe”, shton transmetuesi. “Patrushev është një horr i vërtetë. Ai nuk është më i mirë se Vladimir Putin. Për më tepër, ai është një person më dinak, dhe unë do të thosha, më tinëzar se Vladimir Putin. Nëse ai vjen në pushtet, problemet e rusëve vetëm do të shumohen”, thuhet në video.
“Viktor Mikhailovich” lë të kuptohet se ai dhe aleatët e tij “do të bëjmë përpjekje të caktuara që kjo të mos ndodhë, dhe shpresoj se do të kemi sukses”.
Mesazhi pason raportimin e gazetës investigative ruse, The Project, e cila – në një raport mbi shëndetin e presidentit rus – pretendoi se Putini ishte vizituar së paku 35 herë nga një mjek i kancerit. Ai është bërë kaq paranojak rreth shëndetit të tij, pohoi gazeta, sa që po kryen terapia jokonvencionale dhe barbare.
Thuhet se Putini lahet me gjakun e nxjerrë nga brirët e drerit, të cilat janë prerë gjersa rriten dhe janë përplot me gjak të freskët, shkruan gazeta.
Raportimi pretendon se kanceri po përparon tek Putini, por transmetuesi nuk dëshiron t’u japë “shpresë të rreme” rusëve.
Ndryshe, 70 vjeçari është përfolur se vuante nga kanceri dhe një sërë sëmundjesh të tjera serioze, duke përfshirë sëmundjen e Parkinsonit.
Dyshimet rreth shëndetit të Putinit po lindin në një moment veçanërisht të papërshtatshëm, ku agresioni në Ukrainë ka hyrë në muajin e saj të katërt gjersa Rusia po pëson humbje të mëdha në fushën e betejës.
“General SVR” ka raportuar mbi diagnozën e supozuar onkologjike të Putinit që të paktën që nga nëntori i vitit 2020, duke pretenduar se diktatori rus vuan nga kanceri i zorrëve.
Pyetje të reja u ngritën në lidhje me gjendjen fizike të Putinit muajin e kaluar, kur ai u pa duke u kapur fort për një tavolinë gjatë takimit me ministrin e Mbrojtjes, Sergey Shoigu.
Kremlini e ka mohuar vazhdimisht se Putin vuan nga ndonjë problem mjekësor.