Pasi u larguan kanalet Digitalb dhe SuperSport, IPKO pushtohet nga kanalet serbe
Nëse deri dje ka mundur të thuhet se IPKO është platforma televizive përmban brenda saj kanalet që bashkojnë gjithë shqiptarët, ato të Digitalb dhe SuperSport, nga një 1 Maji gjithçka ka ndryshuar. IPKO është “pushtuar” nga dhjetëra kanale serbe të sportit, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Disa nga ligat e futbollit më të shikuarat nga audienca në Kosovë, prej 1 majit, në IPKO jepen me komentim serbisht, e jo më shqip. Kjo pasi nga kjo datë IPKO nuk ka më marrëveshje për transmetimin e kanaleve shqiptare SuperSport, sikurse as ato të Digitab.
Si rrjedhojë, kanalet sportive me komentim shqip, platforma televizive në pronësi të Telekomit Slloven, i ka zëvendësuar ato me dhjetëra kanale sportive nga Serbia, që japin ndeshjet sportive me komentin në serbisht, raporton Gazeta Online Reporteri.net.
Fjala është për kanalet “Arena Sport”, pjesë e MTS-it serb (Telekom Serbia).
Para disa vitesh, depërtimi i kanaleve serbe të sportit në disa platforma televizive në Kosovë ishte ngritur si shqetësim edhe në Kuvendin e Kosovës, në Komisionin Parlamentar për Media.
Nga ana tjetër, Telekomi Serb, pjesë e të cilit janë kanalet “Arena Sport” që tashmë kanë depërtuar në platformën televizive IPKO në Kosovë, në vitin 2020 ishte përmendur si blerës potencial i gjithë kësaj kompanie televizive. Por, autoritetet kosovare kishin ndërhyrë duke e bllokuar mundësinë që MTS serb të blejë aksionet e IPKO’s.
“Operatori i telefonisë mobile IPKO, nuk mund t’i shitet Telekomit të Serbisë – (Telekom Srbija), dhe po ashtu nuk mund të bëhet as bartja e të drejtës dhe detyrimeve, pa pëlqimin e Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare të Kosovës (ARKEP)”, kishte reaguar ARKEP.
Ndryshe, largimi i kanaleve Digitalb nga IPKO, ka bërë që kjo e fundit përveç me kanale nga Serbia, pjesën tjetër të përmbajtjes ta ofrojë me kanale turke, si dhe ato Tring, etj.
Këto ndryshime kanë shkaktuar reagime të ndryshme dhe nga më të ashprat në rrjetet sociale, nga klientët e tyre të cilët kanë kërkuar llogari nga kompania IPKO e cila ka ndryshuar përmbajtjen përkundër se kontratat i kishin të nënshkruara duke u thirrur në partneritetin ekskluziv me Digitalb dhe SuperSport.
Operatori IPKO është në pronësi të Telekomit Slloven, dhe operon në Kosovë nga viti 2003. Kompania amë e saj, siç ka raportuar Gazeta Online Reporteri.net gjatë javës së shkuar, në Slloveni është përfshirë në një skandal të madh financiar dhe dyshimesh për keqpërdorim të parasë publike atje. Në këtë aferë, dyshohet se pati rol të rëndësishëm edhe kryeshefi i aktual i IPKO’s, Tomaz Seljak, ndaj të cilit është paralajmëruar kallëzim penal në Slloveni.