Weber: Lajcak po simulon, nuk pres ndonjë përparim në dialog
Bodo Weber, ekspert për Ballkanin dhe bashkëpunëtor i lartë i Këshillit për Politikat e Demokratizimit në Berlin, beson se është e vështirë të pritet ndonjë përparim në dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës. Në një intervistë për Kosovo online, (portal propagandistik i Qeverisë së Serbisë), Weber thekson se “nëse do të kishte iniciativë dhe vullnet politik në nivelet më të larta në BE dhe SHBA për dialogun, Lajçak nuk do të ishte zgjedhur në pozitën e tij aktuale”.
Express sjell një version të shkurtuar të intervistës.
Çfarë prisni në dialogun e mëtutjeshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?
Është e vështirë të presësh ndonjë përparim. Nevojitet urgjentisht një rivendosje thelbësore e negociatave. Kishte një shans vitin e kaluar, pra pas ardhjes së presidentit Biden në pushtet në SHBA dhe para largimit të kancelares gjermane Merkel, për diçka të tillë, por nuk u përdor. Dhe tani, këtë vit, kur kemi një qeveri të re gjermane që e ka shpallur Ballkanin Perëndimor prioritet, gjithçka dominohet nga agresioni rus, pra pushtimi i Ukrainës.
Si do të pozicionohet Gjermania në Ballkanin Perëndimor – është vendi i fundit në serinë që emëron një të dërguar special, sa mund të ndikojë Berlini në Prishtinë dhe Beograd për të arritur një marrëveshje?
Në fillim të vitit, qeveria gjermane kishte shpallur një rol udhëheqës në politikën e BE-së ndaj rajonit. Mbeti e hapur se si Berlini do ta kuptonte atë udhëheqje, dhe më pas erdhi lufta në Ukrainë, në të cilën për shkak të sjelljes së kancelarit Scholz dhe socialdemokratëve të tij, por edhe pavendosmërisë deri në ditët e sotme dobësoi në mënyrë dramatike pozitën dominuese të Gjermanisë brenda Unionit, por edhe rolin brenda Perëndimit. Pra, për momentin është e vështirë të vlerësohet nëse Berlini do të mbledhë mjaftueshëm forcë dhe vendosmëri në të ardhmen e parashikueshme, për të nisur një iniciativë për të ringjallur dialogun dhe nëse Shtetet e Bashkuara do të kenë kapacitet të mjaftueshëm për t’iu bashkuar një nisme të tillë me fokus në Ukrainë.
Si e vlerësoni performancën e Lajçakut deri më tani dhe a ka fuqi BE-ja për të vazhduar dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?
Në mungesë të ndonjë nisme të rëndësishme politike në nivele më të larta në Bashkimin Evropian dhe në Shtetet e Bashkuara, z. Lajcak nuk ka zgjidhje tjetër veçse të simulojë ekzistencën e dialogut politik. Përveç kësaj, nëse do të kishte pasur një iniciativë dhe vullnet të tillë politik në nivelet më të larta, zoti Lajçak nuk do të ishte zgjedhur në postin e tij aktual.