Ne Kosovë për 5 muaj, 9 festa, 10 ditë pushim
Festat zyrtare në Kosovë, të përcaktuara me ligj, janë: Viti i Ri, Dita e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Dita e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Dita Ndërkombëtare e Punës, Dita e Evropës, Bajrami i Madh, Bajrami i Vogël, Krishtlindjet Katolike, Krishtlindjet Ortodokse, Pashkët Katolike dhe Pashkët Ortodokse.
Vetëm për pesë muajt e parë të vitit, me ligj, kosovarët kanë nëntë festa. E këto sjellin prapa vetës edhe ditë të shumta pushimi.
Përgjatë këtyre festave fetare e shtetërore, por të cilat të gjitha janë në kalendarin zyrtar të festave, që do të thotë se janë ditë pushimi në Kosovë, përgjatë kësaj kohe, i bie të pushohet dhjetë ditë pune.
Ligji për festat zyrtare në Kosovë, i miratuar në vitin 2008, mbulon 11 festa dhe respektohet nga institucionet publike. Por, jo edhe nga të gjitha bizneset e sektorit privat.
Në bazë të ligjit, “kur ditët e festave zyrtare bien ditën e shtunë ose të diel, ditë pushimi janë ditët pasardhëse të punës – dita e hënë”.
Kështu, këtë vit, gjashtë të hëna radhazi në Kosovë, duke filluar nga 11 prilli deri më 9 maj, janë ditë pushimi, bazuar në Ligjin për festa zyrtare, i cili pavarësisht iniciativave, nuk u ndryshua asnjëherë, për shkak të mosmarrëveshjeve në Kuvendin e Kosovës nga grupet e ndryshme politike, sidomos ato minoritare.
Prandaj, të shtunën, më 9 prill, u shënua Dita e Kushtetutës së Kosovës, por ditë pushimi ishte e hëna. Të dielën, më 17 prill, u festuan Pashkët Katolike, ndërsa u pushua të hënën.
Të dielën, më 24 prill, u festuan Pashkët Ortodokse, por e hëna sipas ligjit, ishte ditë pushimi. Sot është e diel, 1 maj, Dita Ndërkombëtare e Punës, por të hënën me 2 maj është ditë pushimi.
Ndërkohë, të hënën, më 2 maj, është edhe dita e parë e Bajramit të Madh, prandaj pushim është edhe më 3 maj.
Përveç tyre, të hënën, më 9 maj, është po ashtu ditë pushimi, sepse Kosova e feston Ditën e Evropës, një festë e cila në shumë raste, nuk festohet as nga vendet që janë anëtare të BE-së.
Ligji për festat zyrtare, ka hyrë në proces të ndryshimit dhe ka kaluar në Komisionin për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal.
Megjithatë, paradoksi është se i vetmi ndryshim që është bërë, është shtimi edhe i një feste tjetër-Ditës së komunitetit egjiptian, që shënohet më 24 qershor.
Sa herë që ky ligj ka qenë në rend dite në Kuvendin e Kosovës, deputetët e komunitetit serb nuk kanë marrë pjesë në seancë, duke e bërë të pamundur ndryshimin e tij, së paku në pikën që kur festa i bie të shtunën ose dielën, të mos pushohet të hënën.
Përveç këtyre festave, ligji përcakton edhe tetë ditë memoriale, por për to nuk ka pushim.
Sa u përket vendeve të rajonit, Shqipëria ka 14 festa zyrtare,të cilat i shtyn ato në ditë pune, nëse bien të shtunën ose të dielën.
Festat barten edhe në Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë, kurse në Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut ato barten të hënën vetëm nëse bien të dielën. /RTK