Besimtarët myslimanë festojnë Fitër Bajramin
Besimtarët myslimanë në të gjithë botën kremtojnë sot Festën e Fitër Bajramit.
Në Kosovë, manifestimi kryesor u mbajt në Xhaminë e Madhe “Sulltan Mehmet Fati” në Prishtinë.
Në mesazhin e tij për festën, myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, bëri thirrje për paqe në të gjithë botën. Ai tha se në shumë vende ka konflikte, prej të cilave pësojnë qytetarët e pafajshëm.
“Lusim Zotin që kudo në botë të mos ketë trazira, të mbretërojë paqja, siguria dhe mirëqenia për të gjithë”, tha Tërnava.
Festa e Fitër Bajramit pason Muajin e Ramazanit, gjatë të cilit, sipas besimit Islam, besimtarët agjërojnë për 30 ditë, në shenjë sakrifice dhe përkushtimi ndaj Zotit.
Tërnava tha se ky ka qenë Ramazani i parë në dy vjetët e fundit, që besimtarët e kanë shënuar pa masat kufizuese, që i ka imponuar pandemia e koronavirusit.
“Dashtë Zoti që të mos përballemi më me masa kufizuese, të cilat kanë qenë të domosdoshme, por kanë krijuar një lloj distance ndërmjet nesh”, tha Tërnava.
Fitër Bajrami dhe Kurban Bajrami, i cili shënohet dy muaj e dhjetë ditë pas të parit, janë festat më të rëndësishme në besimin islam.