Dinamika e ngjarjes tragjike në Klinë, ku mbeti i vrarë një 23 vjeçar dhe u plagosën dy të tjerë
Vrasja e 23 vjeçarit nga fshati Gulluboc, ka ndodhur mbreme rreth orës 20:43 minuta, kështu ka konfirmuar Policia e Kosovës.
“Në 20:43 minuta policia është njoftuar se ka të shtëna me armë zjarri dhe dyshohet për të plagosur. Me të arritur në vend të ngjarjes, është konstatu se dy persona janë të lënduar. Janë dërguar në Qendrën e mjekësisë familjare pastaj janë dërguar në emergjencën e Pejës. Pas pak kohe, mjeku kujdestar e ka konfirmuar vdekjen e njërës viktimë”, tha zëdhënësi i Policisë së Kosovës në Pejë, Fadil Gashi.
Për vrasjen Prokuroria Themelore e Pejës, ka dalë me detaje duke treguar se në vendin e ngjarjes kanë dalë dy prokurorë nga kjo prokurori.
“Një person ka humbur jetën si pasoje e te shtënave me armë zjarri dhe janë plagosur dy persona. Në vendin e ngjarjes kanë dal dy prokurorë të shtetit nga Departamenti i Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore të Pejës dhe Policia e Kosovës”, ka deklaruar Shkodran Nikçi, zëdhënës i Prokrurorisë Themelore në Pejë.
Ndërkohë policia ka vënë nën pranga 5 të dyshuar për këtë ngjarje tragjike që la të vdekur 23 vjeçarin dhe të plagosur dy vëllezërit e tij.
Gazeta Infokus nga burimet e veta mëson se viktima është Fazli Hoxha nga fshati Gulluboc, kurse dy të plagosurit janë vëllezërit e tij.
Sipas burimeve të Gazetës Infokus, bëhet e ditur se kjo familje ka bërë jetë luksoze falë vëllezërve të viktimës që kanë ndërtuar jetë të mirë falë punës në botën e jashtme, ndërkohë që i ndjeri ka qenë i diplomuar në fakultet.
Mediat lokale nga Klina kanë raportuar se motivi i kësaj ngjarje të rënd, besohet të jetë një konflikt i mëhershëm mes tyre dhe të dyshuarve, në Itali./Gazeta Infokus/