Shaip Kamberi flet pasi fitoi mandatin e deputetit
Shaip Kamberi ka shkruar në Facebook pasi fitoi mandatin e deputetit në Kuvendin e Serbisë. Ai ka falënderuar të gjithë ata që dolën ta votonin derisa ka shtuar se do të jetë zë i të gjithë shqiptarëve në Serbi pa dallim.
“Faleminderit pafund Qytetarëve të Lagjës së Strukarëve të cilët përtej bindjeve politike sot votuan për përfaqësimin e shqiptarëve. Njëzëri. Faleminderit partnerëve të Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës për angazhimin, përkushtimin dhe betejën që udhëhoqëm e fituam bashkë. Faleminderit edhe subjekteve tjera politike që veprojnë në Bujanoc e të cilat dëgjuan drejtë nevojën e popullit shqiptar për vazhdimin e përfaqësimit parlamentar”, shkroi ai.
“Vëzhguesve të PVD-së, PD-së, LPD-së e APN-së për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor duke e ruajtur kështu të drejtën themelore të demokracisë – që mundësuan realizimin e votës së lirë. 28 Prilli na bëri të gjithëve bashkë e bashkë ia dolëm të gjjthë. Unë do të vazhdojë të jem zëri i të gjithë qytetarëve pa dallim. Përtej çdo bindje politike janë shqiptarët. Faleminderit! Bashkë ia dolëm”, përfundoi ai.
Rezultatet preliminare të publikuara nga disa media të Luginës së Preshevës thonë se Kamberi mori votat e nevojshme nga një vendvotim në Tërrnoc të Bujanocit ku kishte rivotim. Ai tani pritet të jetë deptueti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë.