Rrëfimi i padëgjuar i presidentit ukrainas, Zelensky thotë se ishte afër kapjes kur parashutistët rusë ranë në Kiev
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, ka zbuluar se si forcat ruse ishin afër kapjes dhe vrasjes së tij në orët e para të pushtimit.
Zelensky është admiruar për mënyrën sesi po udhëheq vendin gjatë pushtimit agresionit dymujor rus, transmeton Telegrafi.
Gjatë një bisede dhënë për Time, Zelensky ka treguar se si koha e tij në krye të Ukrainës që u sulmua nga fqinji, mund të ketë përfunduar pak orë pasi filloi pushtimi.
Zelensky e ka përshkruar se si trupat ruse ishin shumë afër ta gjejnë atë dhe familjen e tij, derisa po tentonin të marrin nën kontroll pallatin presidencial në ditën e parë të agresionit rus.
Derisa kujtimet e tij në ato orë të para, kanë mbetur të “fragmentuara”, Zelensky ka thënë se e veçon mëngjesin e 24 shkurtit.
Pasi që filluan bombardimet, ai dhe gruaja Olena shkuan për t’i thënë vajzës 17-vjeçe dhe djalit 9, që të bëhen gati të largohen nga shtëpia.
“I kemi zgjuar. Ka qenë me shumë zhurmë. Ka pasur shpërthime”, shtoi presidenti ukrainas.
E ushtria ukrainase i kishte thënë se ekipet e parashutistëve rusë kanë rënë në Kiev, për ta vrarë apo zënë rob atë dhe familjen e tij.
“Një natë më parë, gjëra të tilla kemi parë vetëm në filma”, tha për Time, Andrij Jermak, shef i kabinetit të Zelenskyt.
Të shtënat filluan rreth ndërtesës së qeverisë pasi u errësua në ditën e parë të luftës.
“Rojtarët fikën dritat, sollën jelekët antiplumb dhe pushkët për Zelenskyn dhe dhjetëra ndihmës të tij”, kujton momentin
E një prej zyrtarëve të paktë që ka ditur të përdorë armën ishte Oleksiy Arestovych, veteran i kundërzbulimit ushtarak të Ukrainës.
“Ka qenë çmenduri fare”, tha Arestovych për Time.
Trupat ruse tentuan dy herë të futen në kompleks derisa familja e Zelensky ishte brenda.
Të nesërmen, pasi refuzoi ofertat përfshirë evakuimin e tij nga forcat amerikane dhe ato britanike që i mundësuan formimin e qeverisë në ekzil, Zelensky doli në oborr për të filmuar videon tashmë të njohur me telefonin e tij të mençur.
Në atë moment Zelensky tha se tek tani është i vetëdijshëm plotësisht për rolin e tij në luftë.
“E kuptoni se ata ju shikojnë. Ju jeni simbol. Duhet të silleni ashtu siç sillet një lider i një shteti”, shtoi ai. /Telegrafi/