Kosovari akuzohet se mashtroi investitorët gjermanë dhe ua mori 42 milionë euro përmes Call Center’it në Kosovë
Vetëm lënda që po trajton procesi para gjykatës së landit në Saarbrücken përfshin një humbje prej rreth 42 milionë eurosh, shpërndarë në 1100 individë
Një nga proceset më të mëdha të mashtrimit që është zhviluar ndonjëherë në republikën Saarland fillon të martën, në Gjykatën e Landit, në Saarbrücken. Procesi ka të bëjë me mashtrimin online – mbi 1100 investitorë thuhet se janë mashtruar, gjegjësisht kanë humbur së bashku, më shumë se 40 milionë euro.
Për tre vjet e gjysmë hetuesit nga Saarbrücken kanë hetuar rrjetin e dyshuar të mashtrimit, duke kryer 35 bastisje në disa vende evropiane dhe duke siguruar gjithsej 5.1 terabajt të dhëna, transmeton albinfo.ch. Gjykimi i të akuzuari të parë do të nisë të martën.
Bëhet fjalë për 29-vjeçarin Azem S. Prokuroria publike e akuzon atë për mashtrim përmasash të mëdha. Ai konsiderohet se është pjesë e një bande që u ka grabitur investitorëve kursimet e tyre përmes platformave tregtare online.
Mashtrimi: Në portalet e tregtimit online të quajtura “XMarkets.com”, “Zoomtrader”, “Option888”, “TradeInvest90” dhe “TradoVest” operatorët ofronin baste financiare gjoja fitimprurëse. Sipas prokurorisë publike, konsulentët nga qendrat e thirrjeve (Call Center) të Europës Lindore kanë bindur investitorët që të transferojnë gjithnjë e më shumë para në portalet në fjalë.
Në fund ato para kryesisht “zhdukeshin”. Paratë e depozituara nga investitorët e mashtruar mësohet se vetëm formalisht kanë hyrë në bastet financiare, por në fakt kanë shkuar direkt në xhepat e mashtruesve të dyshuar, shkruan sr.de (Saarländischer Rundfunk).
2 vjet e gjysmë në burg, pa gjyq
Një call center të tillë në Kosovë akuzohet se e ka udhëhequr i akuzuari S. së bashku me një partner. Avokati i tij mbrojtës, i pyetur nga SR nuk ka dashur të komentonte mbi akuzat që rëndojnë klientin e tij, përcjell albinfo.ch. Por ai ka kritikuar faktin se klienti i tij ka qëndruar prapa hekurave për më shumë se dy vjet e gjysmë, pa vendim gjyqësor.
Në verën e vitit 2019, hetuesit nga Saarbrücken-i së bashku me autoritetet kosovare kishin mbyllur qendrën e thirrjeve . Pak më vonë S. ishte arrestuar kur ndodhej me pushime verore në Shqipëri. Më pas ai është mbajtur në paraburgim në pritje të ekstradimit për rreth një vit, ndërsa ka pritur gjykimin e tij në Gjermani që nga vera e vitit 2020.
Dëmi që i atribuohet bandës, së cilës thuhet se i përket S., është i madh: vetëm lënda që po trajton procesi para gjykatës së landit përfshin një humbje prej rreth 42 milionë eurosh, të shpërndara midis mbi 1100 investitorëve, transmeton albinfo.ch. Sipas zyrës së prokurorit publik, dëmi më i lartë që ka pësuar një individ është 5.5 milionë euro, ndërsa mesatarja është 35 mijë euro për person të prekur.
Gjykata merret vetëm me rastet në të cilat i dëmtuari ose ka bërë kallëzim penal ose dëmi ka qenë mbi 5000 euro. Prandaj, dëmi total i shkaktuar nga banda është edhe shumë më i lartë. Pas një analize të të dhënave, hetuesit supozojnë se dëmet në fakt kanë qenë rreth 115 milionë euro. Prandaj, sipas prokurorisë publike, ky është edhe rasti më i madh i mashtrimit për të cilin autoritetet e kësaj republike kanë zhvilluar ndonjëherë ndjekje penale.
866 dosje me dokumente
Aktakuza ka 728 faqe dhe të gjitha dokumentetmarrë së bashku janë të ndara në 866 dosje. Paraprakisht gjykataka ka caktuar 28 data për shqyrtimin kryesor.
Në kuadër të hetimeve është arrestuar edhe i dyshuari kryesor aktual, i cili besohej se ishte kreu i grupit. Ai ishte fillimisht në paraburgim në Vjenë dhe më vonë në Saarbrücken. Ai ka vdekur në verën e vitit 2020 në burgun Lerchesflur nga një mbidozë droge, përcjell albinfo.ch. Rrethanat e sakta të vdekjes së tij mbeten të paqarta.