Konfirmohet: Shaip Kamberi rizgjidhet deputet në Kuvendin e Serbisë
Ish-kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, konfirmoi raportimet e mediave të Luginës, se Shaip Kamberi ka fituar mandatin e deputetit në Kuvendin e Serbisë pas rivotimit në Tërnoc.
“U munduan ta ndalin nga lartë dhe poshtë. U përpoqën ta zëvendësojnë me një politikë më të përshtatshme. Nuk ia dolën. Pati përkrahjen e shumicës absolute të popullit të tij. Pati mbështetjen e shtetit të Kosovës dhe të shqiptarëve gjithandej. Deputeti që na bëri krenar me punën e tij. Deputeti që sonte u rimandatua për të folur dhe vepruar në emrin e Luginës në Beograd. Ai është Shaip Kamberi. Urime kryetar. Degradimi i politikës shqiptare në Luginë nuk kalon! Vazhdojmë bashkë”, shkroi ajo.
Sot është mbajtur rivotimi në “lagjen e Strukarëve” në Tërnoc pasi ishin konstatuar shumë parregullsi të shfaqura në këtë vendvotim më 3 prill.
Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës, me bartës liste Kamberin, ka marrë 686 vota, SNS një votë, ndërsa 11 vota janë shpallur të pavlefshme.