Zyba i VV-së akuzon deputetin e PDK-së për shkaktim të dhunës që përfunduan me vrasje
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rashit Qalaj, në fjalën e tij në seancën e Kuvendit ku ndër të tjera po diskutohet edhe për formimin e Komisionit Hetimor për energjinë, përmendi edhe rastin e dy aktivistëve të vrarë të kësaj lëvizjeje, Arben Balaj dhe Mon Xheladini.
Ai deklaroi se fjalimin e tij po e mbanë për ata deputetë të VV-së që janë pjesë e kësaj partie që nga fillimi.
“Të nderuar deputet, sidomos ju të VV-së që keni qenë që nga fillimi në këtë parti. Fjalimin e kam për ju tash, jo për këta kolegët e koalicionit, apo deputet që janë bashkëngjitur më vonë. Çka është duke ndodhur me ju? Po hy pak në historinë e 20 vjetorit që e keni merak. E kujtojmë aktivitetin e juaj dhe të aktivistëve tuaj në kundërshtimin e shumë proceseve në këtë vend me pretendimet e juaja që më vonë u bënë kauza. I kujtojmë protestat e dhunshme të juaja për shumë procese të ndryshme”, tha ai.
“I kujtojmë protestat e juaja kundër planit të Ahtisarit ku në këtë rast fatkeqësisht në ato protesta na vdiqën dy kosovarë, dy aktivistë të Vetëvendosjes, dy njerëz që besonin në diçka”, shtoi ai.
Qalaj ka përmendur edhe protestat që Vetëvendosja ka bërë për sa kohë ishte në opozitë. Teksa theksoi se Vetëvendosja sot po vazhdon dialogun pa kushte.
Ata aktivist të juaj të cilat janë lënduar, janë arrestuar, janë dënuar, sot nuk kanë mundësi pikërisht për shkak të atyre dënimeve të punësohen e as të marrin vizë. Policët të cilët janë lënduar e që janë trajtuar jashtë vendit sot po sulmohen në një pjese të territorit, me armë zjarri. Por edhe me iriq të cilat janë përdorur edhe në mes të Prishtinës nga Albin Kurti”, tha Qalaj.
Ai ka pyetur deputetët e VV-së se çka do të deklarojnë kur të shkojnë në homazhet e Arben Xheladinit e Mon Balajt, teksa ka përmendur punësimet familjare që janë bërë së fundmi.
“Të nderuar deputet më intereson çka do t’u thoni këtyre aktivistëve të juaj, sot kur tu pyesin për procesit që po ndodhin në këtë vend. Çka do të thoni kur të shkoni në homazhe të ata dy aktivistë tuaj që fatkeqësisht janë vra nga forcat rumune? A do të ju pyesin se çka është Kosova sot, apo do të ju pyesni se a ka mbet ndonjë kushëri, vëlla a motër pa u punësu?”, shtoi ai.
Qalaj krejt në fund i tha pozitës: “mos harroni, me hajna nuk ka shtet”.
Atij fillimisht i reagoi deputeti i LVV-së, Artan Abrashi.
“Ai që dikur ishte drejtor i operacioneve të përgjithshme të Policisë së Kosovës, urdhërdhënësi i ndërhyrjes në zyrën e një parie politike me njësinë FIT, dy javë pas përfundimit të misionit të tij në PK, përfundon në listat zgjedhore të PDK-së dhe zgjidhet deputet”, tha ai.
E deklaratave për Mon Balaj e Arben Xheladinin, si dhe protestave të organizuara nga VV-ja nuk mbeti pa i reaguar edhe deputeti tjetër i VV-së, Sali Zyba.
“Është shqetësuese gjendja të cilën po e paraqet kolegu. Në fakt ky ka qenë aparatura e dhunës së shkaktuar ndaj aktivistave. Sot ky merr rolin dhe guximin tjetër, prej shkaktuesit të dhunës edhe me pasoja tjera, deri te vrasjet, sot shndërrohet avokat i aktivizimit tonë. Nuk dua të bëjë moralin dhe politiken me këtë, por ndihem i shqetësuar sepse e bëri thirrjen, jo në emra personal se edhe personalisht secilit na njeh. Këtu në mesin tonë gjysma e deputetëve kanë pësuar prej urdhrave të tij, prej urdhrave politikë sikur në rastin e privatizimit të aseteve shtetërore. e në këtë rast ky na mbanë moral”, tha ai.