KEDS licencon Qendrën e Trajnimit për ofrimin e kualifikimeve profesionale për sigurinë dhe shëndetin në punë
KEDS po shënon Ditën Ndërkombëtare për Siguri dhe Shëndet në Punë, me projekte dhe të arritura të mëdha, me të vetmin qëllim, që të rritet kujdesi edhe më shumë karshi shëndetit dhe sigurisë se punëtorëve.
Që nga viti 2019 KEDS ka qenë i licencuar për shërbime të sigurisë dhe shëndetit në punë. Me ndryshimin e rregulloreve, KEDS përsëri ka plotësuar të gjitha kriteret dhe është ri-licensuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve për të njëjtat shërbime. Po ashtu, në përputhje me Ligjin Nr. 04/L-161 për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë dhe Rregulloren Nr. 01/2021, është bërë Licencimi i Qendrës së Trajnimit për ofrim të kualifikimeve profesionale nga Siguria dhe Shëndeti në Punë.
Drejtoresha për Cilësi, Siguri dhe Trajnime në KEDS, Valbonë Kadrijaj, tha se angazhimi është tejet i madh kur bëhet fjalë për avancimin e kushteve në aspektin e sigurisë dhe shëndetit në punë.
“Që nga fillimi KEDS është përkushtuar që në vazhdimësi të avancojë në krijimin e kushteve sa më të mira për sigurinë dhe shëndetin në punë për të gjithë të punësuarit në kompani. Duke qenë prioritet i kompanisë dhe në përputhje me kërkesat ligjore që nga viti 2019 KEDS është licencuar për ofrimin e shërbimeve nga siguria dhe shëndeti në punë, për t’u ri-licencuar në shkurt të vitit 2022. Nëse kthehemi sot, kur është Dita Botërore e Sigurisë dhe Shëndetit në Punë, mund të them se kjo ditë e gjen KEDS-in me shumë të arritura nga kjo fushë. E gjithë kjo falë angazhimit dhe përkushtimit të punonjësve të kompanisë, duke respektuar normat dhe standardet ndërkombëtare nga siguria dhe shëndeti në punë. Të arriturat janë si rezultat i promovimit të vazhdueshëm të vlerave nga siguria dhe shëndeti në punë, me moton zero aksidente në vendin e punës”, theksoi Kadrijaj.
Ofrimi i kualifikimeve profesionale për sigurinë dhe shëndetin në punë, do të organizohen nga KEDS në tri nivele: Niveli i parë është ai themelor i specialistit të sigurisë dhe shëndetit në punë, niveli i avancuar që është i profilizuar në sektorin e energjisë, ndërtimit dhe logjistikës, dhe niveli i tretë është i ekspertit të sigurisë dhe shëndetit në punë.
Ndërsa, Izja Mjeku, trajner në kompaninë KEDS, tha se rëndësia që i kushtohet shëndetit dhe sigurisë së punëtorëve është e madhe, prandaj edhe është krijuar Qendra e Trajnimit, si pjesë e veçantë në KEDS.
Të gjithë punëtorët e KEDS-it trajnohen në këtë aspekt dhe gjithsecili njoftohet për pajisjet mbrojtëse personale, pajisjet ekipore, por edhe në vazhdimësi bëhen inspektime në terren.
“ Te ne në mënyrë të vazhdueshme trajnohen punëtorët, me theks të veçantë për siguri, shëndet në punë, si dhe trajnim profesional. Gjatë trajnimit ne i njoftojmë për pajisjet mbrojtëse personale, pajisjet ekipore , që punëtorët i përdorin gjatë punëve të përditshme të tyre.
Qendra e Trajnimit i posedon të gjitha pajisjet që punëtorët tanë i praktikojnë në terren. Gjatë këtyre trajnimeve punëtorët tanë bëjnë demonstrimin dhe praktikimin e atyre pajisjeve.”, tha trajneri Mjeku.
KEDS vazhdimisht promovon parandalimin e aksidenteve dhe lëndimeve në punë. Koordinatorja për Siguri të Cilësisë në njësinë për trajnime në KEDS , Shemsije Lahu, tha se motoja e trajnimeve është: “Siguria e para dhe zero aksidente”.
“Mënyra se si ne e promovojmë parandalimin e aksidenteve dhe lëndimeve në punë, është përmes trajnimeve, përmes inspektimeve dhe monitorimeve, ku shpërndajmë të gjitha informacionet mbi sigurinë dhe shëndetin në punë përmes fushatave të ndryshme të ndërgjegjësimit, përmes vendosjes së shenjave informuese dhe shumë mënyra të tjera. Motoja e trajnimeve që e përdorim: ‘Siguria e para dhe zero aksidente’, por për të pasur zero aksidente në punë duhet motivim dhe angazhim i vazhdueshëm”, u shpreh ajo.