Frashër Krasniqi dekonspiron lidhjet e Kurtit me Berishajn, përcjell fjalët e kryeministrit për mafian energjetike serbe
Për Frashër Krasniqin e PSD-së, “lidhjet e Martin Berishajt me mafian serbe tashmë janë dëshmuar”. Në një video ku flet për lidhjet e kryeministrit Albin Kurti me ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Krasniqi thotë se ky i fundit, këto akuza “as vetë s’po i mohon”.
Krasniqi i ka përmendur dy serbët Vuk Hamoviqin dhe Damir Valziqin, për të cilit Kurti kishte folur më herët si udhëheqës të mafias energjetike serbe, duke i lidhur ata me Berishajn.
“Prej faktit që kompania GEN që ia qet 600 mijë euro në llogarinë e Martin Berishajt, është raportu që ka lidhje me Vuk Hamoviqin dhe Damir Vazliq, deri te fakti që Martin Berishaj bashkë me drejtorin e KEK-ut, që e ka caktu Vetëvendosje, shkojnë në Kroaci, 4 ditë mbajnë takim sekret me një person të tregut të energjisë i cili ka bashkëpunu me Vuk Hamoviqin, krejt këto kallxojnë për një lidhje të tillë. Asnjë s’i ka mohu Martin Berishaj” thotë ai.
Mes tjerash, Krasniqi foli edhe për lidhjet e Albin Kurtit me Martin Berishajn.
“A po jua merr menja që Albin Kurti pi shampanjë dhe i shkon në banesë një njeriu të cilin nuk e njeh mirë dhe nuk i beson?”, pyet ai, ndërsa tregon pak më vonë se ai ishte bërë anëtar i Kryesisë së LVV-së pas largimit të grupit të Dardan Molliqajt nga kjo parti.
Televizioni slloven, Planet TV ka raportuar për një implikim të ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj në një skandal financiar. Sipas televizionit, Berishaj kishte pranuar në llogarinë e kompanisë së tij “MB Consulting” një shumë prej 600 mijë eurosh nga dega në Beograd e kompanisë “GEN”, e të cilat pretendohet se i ka tërhequr në ‘cash’ dhe më pas ia ka dhënë kandidatit për kryeministër të Sllovenisë, Robert Golob.
Këto pretendime i ka mohuar Berishaj, duke paralajmëruar padi ndaj këtij mediumi. Presidenca i ka kërkuar raport dhe e ka ftuar për sqarime në Kosovë ambasadorin, pasi paraprakisht presidentja Vjosa Osmani ka thënë se i beson versionit që Berishaj e ka dhënë në Facebook.