Abdixhiku kujton Mejën: Kosova s’mund të ecë përpara pa gjetjen e qetësisë për familjarët e të pagjeturve
Kreu i LDK-së, Lumir Adixhiku në përvjetorin e masakrës së Mejës dhe në Ditën e të Zhdukurve me Dhunë në Kosovë ka nderuar familjarët e viktimave.
Përmes një shkrimi në “Facebook”, Abdixhiku tha se dhimbja e familjarëve të viktimave është edhe dhimbja jonë.
Ai thotë se Kosova s’mund të ecë përpara pa gjetjen e qetësisë për familjarët e të pagjeturve.
POSTIMI I PLOTË PA NDËRHYRJE:
Në Mejë, 23 vite më parë, 376 civil shqiptarë – nga ta 36 fëmijë – ishin vrarë e masakruar nga forcat policore dhe ushtarake të Serbisë. Trupat e tyre të pa jetë ishin bartur më pas në formë të organizuar deri në Batajnicë, në periferi të Beogradit, dhe ishin varrosur në një varr masiv. E gjithë masakra dhe mbulimi i saj 280 kilometra larg vendit të krimit, ishin organizuar nga aparati shtetëror serb.
Sot, paraditen e kalova në nderim të viktimave të Mejës. Familjet e tyre ende ndjenjë dhimbjen e njëjtë sikurse më 27 prill të vitit 1999. Ata i kanë të freskëta kujtimet e rënda të ndarjes së fëmijëve e burrave nga ta; siç e kanë të freskët dëshpërimin e pafuqisë së tyre për t’i shpëtuar familjarët nga çnjerëzorja. Njeriu është më i fortë se guri – thonë; e vetëm një forcë e madhe mbi sakrificën e rëndë, ka bërë që këto familje t’i kapërcejnë 23 vitet e shkuara drejt.
Dhimbja e tyre është dhe dhimbje e jona; por mbi të gjitha është rikujtim i vuajtjeve të popullit të Kosovës për lirinë e sotme. Sot, gjithandej Kosovës japim nderimet e tona për civilët e vrarë e dëshmorët e rënë. Çmimi i lirisë së Kosovës ka qenë çmim i vet jetës – sikurse i 376 civilëve të Mejës.
Sot, kemi dhe një detyrim shtesë. Në Ditën e të Pagjeturve të Kosovës, vazhdojmë të thërrasim për drejtësi dhe zbardhjen e fatit të 1617 qytetarëve tanë të pagjetur. Kosova s’mund të ecë përpara pa gjetjen e qetësisë për familjarët e të pagjeturve.