Pacolli për skandalin e ambasadorit Berishaj: Organet e drejtësisë të veprojnë me urgjencë
Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, njëherësh kryetar i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli ka thënë se organet e drejtësisë duhet të veprojnë me urgjencë, pas dyshimeve se ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj është përfshirë në një skandal të madh të shpëlarjes së parave.
Pacolli në një prononcim për Demorkacia.com ka thënë se duhet të verifikohet se për çka janë përdorur ato para dhe ku kanë përfunduar.
“Duhet t’u lihet hapësirë organeve të drejtësisë që ta bëjnë punën e tyre. Sot është plotësisht e mundur ( nëpërmjet ndihmave juridike ndërshtetërore) të verifikohet çdo gjë, nga ku janë paguar, kur janë paguar, për çka janë paguar dhe ku kanë përfunduar ato mjete. Paragjykimet mund të hutojnë opinionin publik, të flasim vetëm atëherë kur dëshmitë janë të qarta. Po e vërtetë, duhet me urgjencë të veprojnë organet e drejtësisë”, ka thënë ai për Demorkacia.com.
Berishaj po dyshohet se këto para i kishte marrë për një konsulencë nga kompania GEN-I në Serbi.
Në këtë aferë financiare, e cila po hetohet nën dyshimet se ka të bëjë me shpëlarje parash, ambasadori i Kosovës është i dyshuar për bartjen e rreth 600 mijë eurove CASH nga kompania e tij në Mal të Zi për tek politikani slloven, përcjell Demokracia.com.
“Kush ishte mushka financiare që ia ktheu Golobit paratë? Pronari i MB Consulting dhe i vetmi punonjës, Martin Berishaj, e ka arsyetuar këtë në organet tatimore të Malit të Zi me një marrëveshje kredie që ka lidhur me kompaninë e tij. Këtë pjesë të parave prej 197 mijë e ka tërhequr nga llogaria e tij personale, ndërsa pjesën tjetër të parave, gati 320 mijë euro, e ka tërhequr si pagesë fitimi nga një llogari biznesi. Por kujdes, paratë supozohet të kthehen në drejtimin nga kanë ardhur. Burimi që ka ofruar dokumentacionin për Planet TV thotë se janë inteligjenca që janë shkëmbyer mes shërbimeve të ndryshme inteligjente gjatë hetimit financiar. Ata dyshohet se e kanë njohur Martin Berishaj të lartpërmendur si një nga mushkat financiar që dyshohet se i kanë çuar paratë te Golob. Gjithashtu bëhet me dije se Golob i investon këto para në një nga fondet italiane, ku investitorët lejohen të mbeten anonimë”, shkruan mediumi slloven SiolNET, përcjell Demokracia.com.
Martin Berishaj vepron që një kohë të gjatë në Slloveni, por ai është i emëruar ambasador në Kroaci dhe është i afërt me Kurtin e Osmanin.