“Mos u merrni me budallaqe”, pas Sveçlës edhe Besnik Bislimi punëson motrën në një institucion publik
Përveç dialogut me Serbinë, Besnik Bislimi, zëvendës i kryeministrit Albin Kurti, ka nisur t’i shfrytëzojë me të madhe edhe privilegjet e pushtetit.
Demokracia.com ka mësuar se motra e tij, Valbona Bislimi, sapo është rekrutuar si punonjëse e rregullt në Klinikën e Neonatologjisë në SHSKUK.
Motra e Besnik Bislimit, siç mëson Demokracia.com, për shkak të afateve ligjore dhe periudhës së ankimimit nuk e ka nënshkruar ende kontratën, por gjithçka tjetër ka përfunduar sa i përket punësimit të saj.
Megjithatë, për “rehatimin” e së motrës, zëvendëskryeministri Bislimi nuk e ka thënë asnjë fjalë të vetme.
Bislimi është kontaktuar gjatë ditës nga Demokracia.com përmes telefonit, por nuk është përgjigjur fare.
Ndërkohë, as nga SHSKUK nuk kanë folur për punësimin e saj.
Demokracia.com ka dërguar pyetje dhe ka kontaktuar në telefon edhe drejtorin e QKUK-së, Valbon Krasniqi, nga i cili nuk ka marrë përgjigje.
Ky i fundit na ka propozuar që t’i drejtojmë pyetje zyrës për media në SHSKUK, madje duke premtuar se do t’ju bëj trysni që t’na kthejnë përgjigje më shkrim, por që deri më tani Demokracia.com nuk ka marrë asnjë përgjigje nga SHSKUK-ja.
“Shiko të lutem te Burimet Njerëzore se nuk e di për besë. Unë përveç që i aprovojmë në bazë konkurset, krejt procedurat udhëhiqen nga sektori i Burimeve Njerëzore, vetëm kur të vijnë kontratat me u nënshkru, vijnë te drejtori. Deri në atë moment, asnjë procedurë, asnjë fazë nuk e di, se këto janë krejt të përcaktuara me këtë Ligjin për Zyrtarët Publik”, i ka thënë Demokracia.com përmes telefonit Krasniqi.
Përndryshe, Bislimi e kishte dërguar edhe nipin e tij si anëtar të Këshillit Shtetëror të Cilësisë.
Pas kritikave të shumta, Bislimi kishte habitur të gjithë me deklaratën e tij se nuk e kishte parë nipin që 50 vjet, ndërkohë që ai asokohe ishte 45 vjeçar.