Presidentja e PE-së: E pandershme që thirrjet tona për liberalizim të vizave për Kosovën po hasin në veshë të shurdhër
Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, ka kritikuar Bashkimin Evropian për hezitimin që të liberalizojë vizat për Kosovën duke thënë se thirrjet e Parlamentit Evropian që kjo të bëhet, po hasin në veshë të shurdhër. Ajo këtë e ka thënë në një fjalim përmes videos në një konferencë për Ballkanin Perëndimor të zhvilluar të Bullgari.
“Me gjithë faktin se i kanë përmbushur të gjitha kërkesat tona, qytetarët e Kosovës vazhdojnë të kenë nevojë për viza për të hyrë në Bashkimin Evropian. Thirrjet e përsëritura të Parlamentit Evropian kanë hasur në veshë të shurdhër. Jo vetëm se kjo është e pandershme, por edhe e dëmton kredibilitetin e BE-së dhe na bën më të dobët”, ka thënë ajo.
Metsola, po ashtu, ka kërkuar që të caktohet data për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ajo ka thënë se Serbia “seriozisht ka ngecur në përshtatjen e qëndrimeve të saj me ato të BE-së.
Presidentja e Parlamentit Evropian, Metsola, ka tërhequr vërejtjen se Rusia po tenton të destabilizojë Ballkanin Perëndimor dhe BE-ja duhet të jetë vigjilente.
“Fantazmat e luftës janë akoma gjallë në Ballkan, por integrimi në BE do të sjellë një ajër të freskët shumë të nevojshëm për të tejkaluar të kaluarën. Ky integrim është thelbësor për Ballkanin, por edhe për BE-në”, ka thënë ajo.
Duke e quajtur procesin e zgjerimit të BE-së si sukses të madh me fuqi transformuese, ajo ka përsëritur se Parlamenti Evropian do të vazhdojë të jetë mbështetës i madh i zgjerimit.
Parlamenti Evropian për vite me radhë ka kërkuar liberalizimin e vizave për Kosovën dhe nisjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në rastin e Kosovës, Parlamenti ka dhënë edhe pëlqimin e nevojshëm pas rekomandimit të Komisionit Evropian.