Sulmi kundër Policisë në veri, Bajqinovci: Serbia po dëshiron ta destabilizojë Kosovën
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, ka reaguar pas sulmit të Policisë së Kosovës në veri, më saktësisht në Zubin Potok, mëngjesin e së martës.
Bajqinovci, me anë të një postimi në llogarinë zyrtare të tij në ‘Facebook’, ka thënë se kishte parashikuar që Serbia po shkon e po bëhet më agresive.
“Një sulm i ri nga strukturat kriminale të dirigjuara nga Serbia, me mënyrën e vjetër që po e praktikojnë disa herë brenda dy javësh ndaj policisë së Kosovës”, ka shkruar ai.
“Saktësisht siç e pata parashikuar: Serbia po bëhet vazhdimisht më agresive, po duan me çdo kusht t’a destabilizojnë Kosovën përmes sulmeve me armë zjarri ndaj institucioneve të sigurisë si dhe përmes dezinformatave”, ka thënë ndër të tjera Bajqinovci.
Përfaqësuesi i VV-së në Kuvendin e Kosovës kërkuar që sulmet kundër Policisë, të cilat sipas tij kanë elemente terroriste, të dënohen nga bashkësia ndërkombëtare.
“Serbia po e konfirmon se e ka zgjedhur anën e Rusisë”, ka përfunduar ai./FrontOnline