Gërvalla u injorua nga ish-ushtarët e batalionit “Atlantiku” në Nju Jork, shkak deklaratat e mëhershme për UÇK-në
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, në prill të këtij viti kishte bërë nderime tek varrezat e vëllezërve Bytyqi në Yonkers të Nju Jorkut. Megjithatë, pjesë e vizitës së saj duket se kishin hezituar të jenë shumica e ish-ushtarëve të batalionit “Atlantiku”.
Në nderimet e saj, Gërvalla ishte shoqëruar vetëm nga një numër shumë i vogël i ish-pjesëtarëve të batalionit “Atlantiku”. Hezitimi i tyre për ta pritur dhe shoqëruar, siç ka mësuar Demokracia.com, ishte për shkak të pakënaqësive të shumicës së ish-ushtarëve të këtij batalioni lidhur me deklaratat e saj për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Në një artikull të publikuar nga mediumi zviceran “NZZ”, në qershor të viti 2021, shkruhej se Gërvalla kishte thënë që pas luftës ushtarët e UÇK-së vranë serbë, romë dhe ish-rivalë të tyre.
“Gërvalla-Schwarz kërkon që shumë vrasje të pasluftës në vend të zgjidhen. Pas tërheqjes së trupave serbe, ato u kryen kryesisht nga anëtarët e Ushtrisë Çlirimtare Kosovës, UÇK. Viktimat ishin serbë, romë dhe shqiptarë oponentë të UÇK-së”, thuhej ndër të tjera në artikullin e mediumit zviceran, ku citohej Donika Gërvalla, raporton Demokracia.com.
Pritja e zbehtë vërehet edhe në fotografitë e bëra publike, ku përveç 6-7 ish-ushtarëve shihen edhe disa pjesëtarë të personelit diplomatik të Kosovës dhe zyrtarë të kabinetit të saj.
Ndryshe nga Gërvalla, në vitin 2019, gjatë një vizite në SHBA, ish-presidenti Hashim Thaçi ishte pritur nga rreth 300 persona, kryesisht ish-pjesëtarë të batalionit “Atlantikut”, familjarë të tyre dhe anëtarë të familjes Bytyqi.
Edhe ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, ishte pritur nga një numër i madh i shqiptaro-amerikanëve atje.
E ndonëse ishte kohë me shi, nga fotografitë e publikuara duket se edhe ish-ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, ishte shoqëruar nga më shumë ish-pjesëtarë të batalionit “Atlantiku” gjatë vizitës së saj te varret e vëllezërve Bytyqi në Nju Jork. /Demokracia.com/