E hodhën në bunar dhe ia vendosën dy lopë të ngordhura përmbi, rrëfimi për të riun që u masakrua në Beleg të Deçanit
Edhe Masakra e Belegut të Deçanit, e cila ka ndodhur më 29 dhe 30 mars të vitit 1999 njihet në mesin e shumë masakrave që kanë ndodhur gjatë luftës së fundit në Kosovë.
I mbijetuari i kësaj masakre, Mehmet Mazrekaj, i ftuar në emisionin n’Demos ka folur në detaje për të gjitha përjetimet e tij dhe të tjerëve që ishin në atë mes.
Mes tjerash ai ka rrëfyer edhe historinë e Jetmir Mazrekajt.
Babai i Jetmirit, Arif Mazrekaj, e kishte shpëtuar djalin e tij kur ishin sulmuar nga forcat serbe, duke e mbuluar me trup.
“Arifi e ka shpëtu djalin e vetë Jetmirin, i ka hyp përsipri. Arifi ka mbetë i vdekur, Jetmiri ka mbetë i gjallë dhe ashtu i plagosur ka shku deri në Isniq”, u shpreh Mehmet Mazrekaj.
Tutje ai bëri të ditur mënyrën se si është masakruar Jetmiri, pasi është gjetur nga forcat serbe.
“I plagosur ka shku te Haklajt në Isniq, ka nejt një javë, por pastaj Policia e kanë hetu dhe e kanë marrë, e kanë lëshu në bunar dhe ia kanë qitë dy lopë të ngordhura përsipër”, tha Mazrekaj.
I mbijetuari i kësaj masakre i cili me profesion ka qenë mësimdhënës, tregoi se si ashtu i vdekur i riu kishte rënë në bunar për herë të dytë.
“Pasi jam kthy nga Shqipëria kam shku në Beleg, e morem vesh që Jetmiri është në atë bunar, jemi shku me e nxjerr, i kemi hek lopët, e kemi marr edhe Jetmirin, pak pa e qu nalt na ka ra prapë poshtë”, tha ai.
Mes lotësh Mazrekaj tregoi se është mërzitur shumë për atë rast.
“Jetmiri ka qenë djali i hasretit dhe sot e asaj dite nuk mundem me ra kah dera e tij, tjetër kah e kthej rrugën, se më vjen mërzi me ra kah dera e tij, është shtëpia meshelë. E ka lanë një nanë me të meta shumë”, bëri të ditur ai.
Jetmir Mazrekaj është varrosur në fshatin Drenoc.