Sigurohen kulturat bujqësore, speci, molla, rrushi dhe nëntë të tjera
Gati njëjtë siç sigurohen veturat, mund të sigurohen edhe specat, mollët, dardhat, kumbullat, rrushi, dredhëzat, mjedrat, arrat, fasulet, misri, qershitë dhe vishnjat.
Sigurimet bujqësore që kanë filluar të aplikohen në Kosovë që nga viti 2019 do të vazhdojnë edhe këtë vit.
Nëse kulturat bujqësore u dëmtohen bujqve nga ndonjë fatkeqësi natyrore, nëse ata i kanë siguruara do të kompensohen nga kompanitë e sigurimeve.
Informacionet për blerjen e Polisave të Sigurimit dhe të gjitha detajet lidhur me specifikat e sigurimit bujqësor, siç është periudha e sigurimit, kufijtë e paracaktuar dhe dëmshpërblimet në rast të ndodhjes së rrezikut dhe shkaktimit të dëmit, shuma e siguruar dhe shuma e primit të sigurimit, të cilën duhet fermerët ta paguajnë, mund të merren në Shoqatën e Sigurimeve të Kosovës, ku pjese e kësaj shoqata janë kompanitë e sigurimeve, shkruan Demokracia.com.
Në një përgjigje për Demokracia.com, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka konfirmuar se këtë vit do të mbështeten fermerët për subvencionimin e primit të sigurimit bujqësor për 12 kultura bujqësore, për mjedër, mollë, kumbull, rrush, dredhëz, spec, arrë, fasule, misër, qershi, vishnje dhe dardhë.
“Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural subvencionon 75% të shumës së primit të sigurimit të çdo polise të blerë nga fermerët dhe pagesa për fermerët bëhet në formë të subvencionit, si masë paraprake për tejkalimin e dëmeve të shkaktuara, respektivisht nga rreziqet e përcaktuara në Polisën e Sigurimit, për të mbuluar dëmet që mund t’iu shkaktohen fermerëve, të cilët kanë paguar sigurimin bujqësor”, thuhet në përgjigjen e MPBZHR-së për Demokracia.com.
Shuma e mjeteve në vlerë të 75 % të primit të sigurimit, si subvencion i ekzekutohet direkt fermerit, pasi të ketë paraqitur dëshminë e pagesës së primit të sigurimit, së bashku me polisën e sigurimit dhe që i plotësojnë kriteret e përcaktuara ne Programin e Pagesave Direkte për vitin 2022.
Projekti për Sistemin e Sigurimeve Bujqësore me të gjitha produktet për sigurimin e 12 kulturave bujqësore është përgatitur në bashkëpunim të ngushtë në mes të MBPZhR-së, Korporatës Ndërkombëtare Financiare-IFC, Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, si dhe në koordinim me ekspertë-agronomë të ndryshëm.