Kancelari austriak takon Putinin
Kancelari i Austrisë, Karl Nehammer, do të udhëtojë sot në Moskë, për bisedime me presidentin rus, Vladimir Putin.
Ai është udhëheqësi i parë i një vendi të Bashkimit Evropian që takohet personalisht me Putinin, qëkur ky i fundit ka dhënë urdhrin për pushtimin e Ukrainës, më 24 shkurt.
Zyrtarët austriakë thanë se Nehammer dëshiron të promovojë dialogun midis Moskës dhe Kievit dhe se do të ngrejë gjithashtu çështjen e krimeve të luftës.
Nehammer u takua edhe me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, të shtunën.
“Ai shkon atje [në Moskë], pasi ka informuar Berlinin, Brukselin dhe presidentin ukrainas, për të inkurajuar dialogun”, tha një zëdhënës i Nehammerit.
Takimi vjen në kohën kur lufta në Ukrainë është zhvendosur në lindje të këtij vendi.
Zyrtarët rusë kanë thënë se fokus i forcave të tyre do të jetë “çlirimi i plotë” i Donbasit, duke iu referuar kështu rajoneve lindore të Ukrainës, Luhansk dhe Donjeck.
Këshilltari i Presidencës së Ukrainës, Mykhaylo Podolyak, i tha televizionit kombëtar se “Ukraina është gati për beteja të mëdha” kundër Rusisë.
Ai tha se Ukraina duhet të mposhtë Rusinë në Donbas – ku Moska kontrollon tashmë dy territore separatiste – përpara se të zhvillohet një takim midis presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe presidentit rus, Vladimir Putin.
“Ukraina është gati për beteja të mëdha. Ukraina duhet t’i fitojë ato, përfshirë Donbasin. Dhe, sapo të ndodhë kjo, Ukraina do të ketë një pozicion më të fuqishëm negociues”, tha Podolyak.
“Pas kësaj, presidentët do të takohen. Mund të duhen dy javë, tri”, shtoi ai.
Mijëra njerëz janë vrarë tashmë nga lufta në Ukrainë, ndërsa mbi 11 milionë janë detyruar të ikin nga shtëpitë e tyre.
Perëndimi ka vendosur sanksione të papara ekonomike kundër Rusisë, ndërsa Ukrainën është duke e ndihmuar ushtarakisht.
“Na duhen edhe më shumë sanksione. Na duhen edhe më shumë armë për shtetin tonë”, tha Zelensky në një video-adresim, të publikuar në mediat sociale.
Ai po ashtu porositi qytetarët që të përgatiten për “operacione edhe më të mëdha” të Rusisë në lindje të Ukrainës, shkruan REL.
“Ata mund të përdorin edhe më shumë raketa kundër nesh, edhe më shumë bomba ajrore. Por, ne po përgatitemi për veprimet e tyre. Ne do të përgjigjemi”, tha Zelensky.
Ai i hodhi poshtë pretendimet e Rusisë se vdekjet e civilëve në Ukrainë janë rezultat i sulmeve ushtarake të vetë Ukrainës.
“Për vrasjet në Buça thonë se nuk janë përgjegjës, por gjoja jemi ne. A e dini pse ndodh kështu? Sepse ata janë frikacakë”, tha Zelensky.
Javën e kaluar në Buça – qytezë në afërsi të Kievit – dhjetëra civilë janë gjetur në varreza masive, apo të vrarë në rrugë, me duar të lidhura, pasi trupat ruse janë tërhequr nga rajoni.
Zelensky ka thënë se vrasjet në Buça duhet të njihen si gjenocid. Perëndimi i ka dënuar fuqishëm ato, ndërsa Rusia i ka mohuar, duke thënë se pretendimet e Ukrainës duhet të shihen me dyshime.