Ku është kerri i komunës, Kadri?
Janë bërë dy muaj që kur kryetari i komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, kishte pësuar një aksident me veturën zyrtare të komunës. Fatmirësisht, z.Rahimaj shpëtoi nga aksidenti. Por, fatkeqësisht vetura jo vetëm që nuk shpëtoi, por është zhdukur fare dhe askush s’po mundet t’i bie në fije se ku është, qoftë ‘e gjallë’, qoftë veç teneqe…
[Ngjarja më poshtë, nuk është fantashkencë]
Para pak ditësh, mediat publikuan lajmin e bujshëm nga Kamenica. Kryetari i komunës, Kadri Rahimaj (VV), kishte pësuar një aksident me veturën zyrtare të komunës. Kadriu shpëtoi, por vetura nuk po gjendet kurrkund.
Shefi i asambleistëve të LDK-së në komunën e Kamenicës, Jeton Biqkaj, i tha Persikopit se e kanë pyetur lidhur me këtë çështje kryetarin Rahimaj – madje thotë këtë të kane bërë në dy mbledhjet e fundit radhazi – por sipas Biqkaj, kryetari në të dy herat, ka dhënë dy përgjigje të ndryshme.
Biqkaj na rrëfen se se kryetari Rrahimaj në mbledhjen e parë ka thënë se është dërguar vetura për rregullim, diku por që vet ai – pra kryetari, nuk e di se ku është dërguar.
Ndërkaq në mbledhjen e dytë të mbajtur me 31 mars, kryetari i Kamenicës i është përgjigjur duke thënë se nuk është duke u rregulluar vetura, me arsyetimin se nuk ka kontratë të mirëmbajtjes ende komuna dhe se është në procedurë.
“Në dy mbledhje radhazi pyetet, edhe në mbledhjen e fundit që e kemi mbajtur me 31 mars, unë e kam pyet drejtpërdrejt kryetarin e komunës, ku është vetura, a është duke u rregullu, a është rregullu? Në mbledhjen e parë para një muaj ka thënë që vetura është duke u rregulluar diku, nuk e di ku është duke u rregullu, ndërsa në mbledhje e fundit të dytën, ka thënë jo nuk është duke u rregulluar vetura sepse nuk ka kontratë të mirëmbajtjes ende komuna është në procedurë. D.m.th. i ka dalë afati i kontratës komunës, që u kanë duke i mirëmbajt veturat.”, ka thënë Biqku për Periskopin.
E nëse vetura nuk është duke u rregulluar, ku është ajo? A do të duhej të ishte në oborrin e komunës?
“Tash po flitet që është diku po nuk e di pse po e mbajnë msheftë, dhe nuk po e publikojnë se ku është, çka ka të keqe? Nëse nuk është duke u rregulluar, ajo e prishur duhet me nejtë në oborr të komunës. Nuk di cila është arsyeja se pse po e mbajnë mshfetë”, i tha Biqkaj – Periskopit në një bisedë telefonike.
E për këtë çështje në mbledhje kishte pyetur edhe Grupi Parlamentar i PSD’së, ku sipas asamblistit Meriton Ramabaja, nuk kishin marrë përgjigje.
Ai në një prononcim për Periskopin thekson se kryetari i Kamenicës kishte neglizhuar bisedën për veturën.
“Ka pas pyetje direkte edhe prej grupit tonë parlamentar në mbledhje, po nuk është që ka dhënë përgjigje, përkundrazi e ka neglizhu këtë muhabet edhe nuk ka dhënë kurrfarë përgjigje”, thotë Ramabaja për Periskopin.
“E keqja është që ka ndodhë aksidenti, vendndodhja e automjetit nuk dihet ku është. Realisht nuk di, nuk muj as me paragjyku, por e keqja e kësaj pune është se nuk jep llogari ku është. Kjo është kërkesa të jep llogari çka ka ndodhë ku është?”, ka thënë Ramabaja nga PSD. Periskopi