106 shqiptarë u masakruan, Serbia tentoi ta fshehte krimin në Pastasel të Rahovecit
Më 31 mars janë bërë 23 vjet nga masakra në Pastasel të Rahovecit. Në këtë fshat, më 31 mars të vitit 1999, u vranë dhe u masakruan 106 qytetarë të këtij fshati dhe komunave tjera.
Dëshmitarët që kanë shpëtuar nga kjo masakër në disa raste kanë rrëfyer tmerrin e asaj dite që përjetuan. Ata, por edhe familjarët e të vrarëve, kanë thënë se deri më tash askush nuk u dënua për këtë masakër, edhe pse disa herë kishin dhënë dëshmi, madje edhe në Tribunalin e Hagës.
Demokracia.com publikon për herë të parë dhe ekskluzivisht raportet e Ministrisë serbe të Punëve të Brendshme dhe të Prokurorisë së Qarkut të asaj kohe, ku përshkruhet në detaje zhvarrimi dhe obduksioni i trupave të të vrarëve më 31 mars në Pastasel.
Në raportin e parë, i cili mban datën 18 prill të vitit 1999 të MUP-it serb (Ministria e Punëve të Brendshme), Sekretariati në Prizren, thuhet se gjatë kërkimit në terren në fshatrat Senovc, Komuna e Rahovecit, në dalje të fshatit Senovc në drejtim të Pastaselit, rreth 500 metra larg varrezave të fshatit janë gjetur disa varre të freskëta afër rrugës së fshatit – nga ana e djathtë.
“Grumbujt e dheut në dy rreshta janë shënuar me dërrasa, me numra nga 1 deri në 48 në rreshtin e parë dhe nga 1 deri në 47 në rreshtin e dytë. Në shumicën e varreve gjenden të shënuar emrat dhe mbiemrat e të vrarëve të nacionalitetit shqiptar, kryesisht nga rrethina e Rahovecit, Suharekës, Prizrenit, Drenicës, Lipjanit, etj. Pas zhvarrimit është konstatuar se aty gjenden trupat e gjinisë mashkullore me plagë të shkaktuara nga armët e zjarrit. Trupat ishin të mbështjellë me qebe dhe me najlon. Në fshatrat përreth në atë rajon, sikur edhe fshati Senovc, Pastasel, duken gjurmët e shtëpive të djegura dhe objekte tjera të rrënuara”, thuhet ndër tjerash në raportin e MUP-it serb.
Tutje në këtë raport të siguruar nga Demokracia.com thuhet se “marrë parasysh se bëhet fjalë për grumbuj të personave nga rajone të ndryshme, supozohet se varrimi i trupave në një vend të vetëm në numër të madh është tentuar të tregohet si varr masiv”.
Pas këtij raporti të MUP-it, Prokuroria e atëhershme e Qarkut të Prizrenit del me raport më 19 prill të vitit 1999. Rastin për ta hetuar e merr prokurori Dobrivoje Periq. Në raportin e nënshkruar nga ai, tentohet që të fshihet masakra e Pastaselit. Aty thuhet se në këtë zonë të Rahovecit ka pasur sulme prej pjesëtarëve të UÇK-së.
“Nga këto sulme me siguri ka ardhur deri te vrasja e pjesëtarëve të të ashtuquajturës UÇK dhe se nga raporti i zhvarrimit të katër varreve janë gjetur trupat e gjinisë mashkullore me plagë të shkaktuara nga armët e zjarrit”, thuhet në këto dokumente, raporton Demokracia.com.
Më pas, Periq jep urdhër për kryerjen e obduksionit të të gjithë trupave, pasi që thuhet se duhet dëshmuar se “nuk bëhet fjalë për varrezë masive”, sepse të gjithë të vrarët kishin emër dhe numër të veçantë.
Kërkesën e prokurorit Periq e miraton po të njëjtën ditë, më 19 prill, gjyqtari Jugosllav Skenderi.
Në raportin e Skenderit kërkohet që të bëhet obduksioni i trupave në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë me të gjitha të dhënat nga vendi i ngjarjes dhe me gjësendet e viktimave që janë gjetur te ata.
Në raportin përfundimtar të datës 6 maj 1999 të prokurorit të Qarkut të Prizrenit, Milan Petroviq, jep detaje për zhvarrimin e trupave të shqiptarëve të vrarë në Pastasel, pastaj kryerjen e obduksionit dhe varrimin e tyre në varrezat e Prizrenit.
‘Sot më 24.04.1999 në vendin Pastasel, Komuna e Rahovecit, në bazë të vendimit të prokurorit të Qarkut numër 49/99 nga 20.04.1999 në lokacionin në dalje të fshatit Senovc në drejtim të Pastaselit, afër rrugës së fshatit, e cila i lidh këta të dy fshatra, në anën e djathtë, përpara xhamisë së fshatit e kemi kryer eshkumimin e 98 trupave të cilët në atë vend ishin të varrosur. Pas hapjes së varreve, punë kjo e kryer nga ana e kompanisë ‘Higjiena’ nga Prizreni dhe Rahoveci, respektivisht punëtorët e kompanisë, është bërë fotografimi dhe shënimi krimo-teknik dhe nxjerrja e trupave të varrosur. Trupat më pas janë transportuar në morgun e Prizrenit”, shkruan në këtë raport.
Më datat 25, 26 dhe 27.04.1999 të njëjtit janë transportuar në IML të Prishtinës, ku nga ana e ekipit të obduksionit që ishte caktuar nga gjyqtari më herët, është bërë këqyrja e jashtme e secilit trup, ku më pas është bërë raporti dhe fotodokumentimi, si dhe është dhënë në formë të shkruar konkluzioni përfundimtar.
Punëtorët e Sekretariatit të Prizrenit në bazë të këtyre të gjeturave kanë identifikuar deri më tash 10 trupa.
“Në bazë të rekomandimit të gjyqtarit të datës 02.05.1999 dhe 03.05.1999, të gjitha trupat janë varrosur në varrezat e myslimanëve në Prizren, Rahovec dhe Suharekë, pasi që këta persona janë nga këto vende{, thuhet në raportin e Kryeprokurorit të Qarkut të Prizrenit, Milan Petroviq.
Po ashtu në këtë raport, në fund të tij, janë listuar shumica e emrave të të vrarëve në Pastasel. Para emrave të tyre janë vendosur numrat rendor nga 1 deri në 96.
Eskadronet e vdekjes të ushtrisë e të sigurimit të Serbisë, më 31 mars 1999, rrethuan fshatin Pastasel dhe ekzekutuan mizorisht 106 shqiptarë të paarmatosur: burra, gra, pleq e fëmijë.
Shumica ishin banorë të këtij fshati, por kishte edhe nga Guri i Kuq, Zatriqi, Polluzha, Kazniku, Kramoviku, Çifllaku, Senoci dhe nga Komuna e Klinës, të cilët ishin të strehuar në fshat, të njëjtit pasi janë varrosur nga banorët e fshatit, forcat pushtuese serbe i kanë zhvarrosur. Ndërsa, një pjesë të tyre edhe i kanë djegur, duke u munduar t’i zhdukin gjurmët e krimit të tyre. /Demokracia.com/