Gashi: Demonstratat shqiptare ’68, janë kujtesa e Kosovës
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka vizituar ekspozitën me fotografi dhe dokumente të demonstratave të vitit 1968, me rastin e 50 vjetorit të organizimit të tyre.
Ministri Gashi përmes një statusi në rrjetin social Facebook, i ka quajtur këto demonstrata, Kujtesa e Kosovës.
“Ekspozitë me fotografi dhe dokumente. Kujtesa e Kosovës: Demonstratat shqiptare ’68, në 50-vjetorin e demonstratave të vitit 1968”, ka shkruar Gashi.
Demonstratat e vitit 1968 kishin rëndësi të madhe për popullin shqiptar, sepse ishin prioritare për ndërgjegjësimin e popullit shqiptarë që diplomacia evropiane e ndërkombëtare të kuptonte se populli shqiptar po shtypej nga Serbia.
Pas demonstratave të vitit 1968 në Universitetin e Kosovës filloi të rritet numri i studentëve shqiptarë.
U hapën shumë shkolla fillore dhe të mesme në të gjitha komunat e Kosovës, që ndikoi në emancipimin e femrës shqiptare.
Krahas rritjes së numrit të nxënësve dhe studentëve shqiptarë, u rrit edhe numri i librave në bibliotekat e Kosovës, që dikur në fondin e tyre kishin 75 për qind libra në gjuhën serbokroate, dhe 25 për qind në gjuhën shqipe, kundrejt popullit shumicë shqiptar me 90 për qind. /FaktePlus