Abulena Haxhiu, ministrja e Kurtit që po “shkel mbi drejtësinë”
Gjykata Themelore e Prishtinës-Departamenti për Çështje Administrative, ka anuluar vendimin e Ministrisë së Drejtësisë (MD), të datës 24 Shkurt 2020 si kundërligjor, me të cilin ishte anuluar procesi i dhënies së provimit të noterëve të shpallur me datë 19 Prill 2019. Gjykata vërtetoj procesin e provimit të Noterisë të datës 19 Prill 2019 si të ligjshëm dhe të drejt.
E ky proces i shumëpërfolur i noterëve dhe i stërzgjatur, si duket nuk do të ketë epilog edhe për një kohë të gjatë, pasi që Ministrja e Ministrisë së Drejtësisë , Albulena Haxhiu nuk po e njeh si vendim legjitim.
Reagimet për këtë proces nuk po ndalen, e madje nuk po ndalen as shkeljet flagrante mbi këtë proces edhe nga vet MD pasi që nuk i njeh vendimet gjyqësore.
Procesi i dhënies së provimit për noter ishte anuluar në muajin e parë të qeverisë Kurti, me arsyetimin se kishte dyshime për parregullsi pasi pjesë e procesit ishte konsideruar se kishin qenë militantë politik, anëtarë dhe familjarë të njerëzve në pushtet.
Arsyetimi i Gjykatës
Sidoqoftë, të gjitha këto pretendime, Gjykata Themelore e Prishtinës i hodhi poshtë, duke konsideruar se procesi ishte i rregullt dhe nuk kishte arsye për anulim.
“Kjo për faktin se me asnjë provë nuk është vërtetuar se ky komision ka tejkaluar kufijtë e përcaktuar me ligjin, nuk është vërtetuar se me zgjedhjen e këtij komisioni nuk është arritur qëllimi sipas ligjit dhe në përputhje me parimin e proporcionalitetit dhe se zgjedhja e tij nuk është vërtetuar se ka qenë në kundërshtim më normat e gjithë pranuara të shkencës apo teknikës dhe nuk ka shkelur parimet themelore të drejtësisë apo arsyes njerëzore”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë. Tutje, në këtë aktgjykim thuhet se nga vendimi i kontestuar me padi dhe në kuptim të dispozitave të lartcekura, del se janë cenuar të drejtat ligjore të paditësve.“E paditura ka dështuar të provojë faktin se veprimi administrativ me aktin administrativ të kontestuar me padi, siç përcaktohet në dispozitat e lartcekura, ka qenë i domosdoshëm dhe i përshtatshëm për të arritur qëllimin e përcaktuar ne ligj”, thuhet në këtë aktgjykim.
Sipas gjykatës, Ministria ka konstatuar gabimisht gjendjen faktike dhe gabimisht e ka zbatuar ligjin kur e ka anuluar procesin e noterëve.
Po ashtu gjykata thekson se Ministria në vendimin për anulim nuk ka arritur ta argumentojë me asnjë provë bazën ligjore me të cilën e ka anuluar procesin.
Tutje, sipas këtij aktgjykimi e paditura-MD në vendimin kontestues ka theksuar se Komisioni ka bërë shkelje flagrante të parimeve të përcaktuara në Udhëzimin Administrativ, për mënyrën e dhënies dhe programin e provimit të noterisë, pasi që nga ky proces ka rezultuar që shumica e kandidatëve të cilët e kanë dhënë provimin me shkrim dhe me gojë kanë qenë familjarë të Komisionit, zyrtarë të partive në pushtet apo familjarë të partive në pushtet si dhe familjarë të ngushtë të zyrtarëve që punojnë në sistemin e drejtësisë.
Megjithatë, fjala e Gjykatës si duket nuk po i hynë në vesh ministres Haxhiu e cila sërish ka paralajmëruar hapjen e konkursit për provimin e noterisë dhe jo të vazhdoj procesin aty ku ka mbetur ne vitin 2019.
Këtë deklaratë ajo e dha pikërisht në një-vjetorin e qeverisë Kurti II në një konferencë për media, shkruan Syri.net Kosova.
“Procesi i noterisë- Siç jeni në dijeni, Gjykata Themelore në Prishtinë ka rrëzuar vendimin tim lidhur me anulimin e procesit të provimit të noterisë. Unë nuk do ta komentoj vendimin e Gjykatës vetëm dua të shtoj që s’ka vendim që legjitimon një proces aq të padrejtë, të kurdisur e të kompromentuar. Pas rrethanave të krijuara, ne do të hapim një konkurs për provimin e noterisë me qëllim të rritjes së konkurrencës dhe cilësisë midis kandidatëve…”, deklaroi Haxhiu.
Lidhur me këtë proces ka pasur shumë reagime në publik, e natyrisht edhe nga vet kandidatët për noter të cilët ishin të zëshëm që nga momenti i anulimit të konkursit.
Të njëjtit kandidatë theksojnë për Syri.net Kosova se nuk do të ndalen së kërkuari realizimin e të drejtave të tyre për emërimin në pozitat e noterëve, pasi që procesi ka mbet i përfunduar nga anulimi i provimit. Ata kërkojnë që procesi të vazhdoj aty ku ka mbet nga komisioni përgjegjës për emërim të noterëve, e që është lista e kandidatëve të përgjegjshëm që i është dorëzuar Ministrit me datë 21.08.2019. Komisioni përzgjedhës kishte përfunduar punën e tij, dhe tani procesi sipas tyre ka mbetur në diskrecion të Ministres së MD për të nominuar kandidatët e përgjegjshëm në komunat përkatëse sipas konkursit që kishin aplikuar.
Kandidatët për noter, të frustruar me deklaratën e Ministres Haxhiu po paralajmërojnë hapa të tjerë për realizimin e të drejtës së tyre dhe për të detyruar MD të zbatoj vendimin gjyqësor.
Ata për Syri.net shprehen se mos njohja e vendimit gjyqësor nga ana e Ministres se MD, për kandidatët është jo vetëm keqpërdorim i pozitës zyrtare nga ana e Ministres Haxhiu (me përgjegjësi penale) por edhe si skandal të madh që e përfshin MD.
“Presim që ministrja Haxhiu të reflektoj në pajtim me përgjegjësitë e saj, të njeh vendimin e Gjykatës si të mirëqenë dhe të vazhdoj me procesin e emërimit të noterëve sipas rekomandimit të komisionit përzgjedhës të datës 21.08.2019”, shprehet njëri nga kandidatët.
Historia e anulimit
Ish-ministrja e Ministrisë së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në shkurt të vitit 2020 kishte marr vendim për anulimin e provimit të noterisë.
Provimin e kishte anuluar me arsyetimin se procesi i përzgjedhjes së noterëve nga qeverisja e kaluar nuk kishte pasur ligjshmëri, transparencë e as objektivitet, pasi sipas saj, shumica e kandidatëve të përzgjedhur kanë qenë familjarë dhe militantë partiakë.
Kandidatët i shpallin “luftë” MD-së
Por, me këtë vendim të Ministrisë së Drejtësisë, nuk ishin pajtuar kandidatët të cilët kanë kaluar provimin e noterisë, e të cilët përmes padisë ne Gjykatë kanë kërkuar që ky vendim të anulohet. Pas anulimit të procesit të noterëve, kandidatët kishin parashtruar gjithsej 44 padi në Departamentin për Çështje Administrative të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ndaj Ministrisë së Drejtësisë, lidhur me vendimin e lëshuar nga e njëjta.
Gjykata Themelore në Prishtinë- Departamentin për Çështje Administrative te 44 padite e kandidatëve i ka bashkuar dhe i ka gjykuar si një të vetme pasi që kërkesëpadia dhe pala e paditur kanë qenë të njëjta.