Qeriqi: Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli më patën thënë që listat e veteranëve janë fryrë tej mase
Kryetari i Këshillit për mbrojtjen e të drejtave të veteranëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi, ka thënë se listat e veteranëve duhet të riverifikohen dhe ka shtuar se veteranët e vërtetë nuk janë aspak të kënaqur me listat aktuale.
Qeriqi thotë se për “fryrje” të listave të veteranëve ka folur edhe me ish-krerët e UÇK-së, Kadri Veselin dhe Hashim Thaçin.
“Edhe atëherë nuk jam pajtuar. I kam kundërshtuar. Jam takuar me ish-kryeparlamentarin Veseli, i cili më tha se është i pakënaqur dhe numri nuk është i saktë. Të njëjtën më ka thënë edhe ish-presidenti Thaci në dy takime që pata me të. Ai më tha se listat e veteranëve janë fryrë tej mase”, ka thënë Qeriqi në emisionin Pressing në T7.
Ai ka shtuar se nuk ka asgjë të keqe në riverifikimin e listave të veteranëve.
“Me të vërtetë veteranët po përballen me probleme të rënda. Si shëndetësore dhe të tjera. Ne kemi qenë prej fillimit. Nuk ka asgjë të keqe që të riverifikohen. Ata që janë keqpërdorues t’i kthejnë ato mjete”, përfundoi ai.