850 kWh në muaj, 60 % me të shtrenjtën dhe 40 % me të lirën- Si e llogaritën Ramush Haradinaj e Albin Kurti këtë faturë?
Kryeministri Albin Kurti dhe lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj kanë përllogaritur çmimet e faturave të reja për konsumatorët që shpenzojnë mbi 850 kWh energji elektrike. Të dy u nisën nga pretendimi se qytetarët mund të harxhojnë 60% rrymë me tarifën e lartë dhe 40% me atë të ulët. Por Kurtit në fund i doli se çmimi total në faturë do të rritet për 5%, teksa Haradinajt për 86%. Si i llogaritën ata faturat?
Kryeministri Albin Kurti ka përllogaritur sot çmimet e faturave të konsumatorëve që shpenzojnë mbi 800 kWh. Ai mori disa shembuj se sa do të jenë çmimet e faturave të qytetarëve sipas tarifave të reja të vendosura nga ZRrE.
Kurti gjatë kësaj llogaritje është nisur mbi parimin e shpenzimeve për tarifën e lartë 60% ndërsa për ata të ulëtën 40%. Kështu sipas tij, për konsumatorët që do të shpenzojnë 850 kWh në faturat me tarifat e reja do të ketë rritje për 5%
“Për konsum deri në 800 kWh nuk do të ketë rritje. Në rastin e konsumin 850 kWh, duke llogaritur një raport mesatar 60/40 të tarifës së lartë dhe asaj të ulët, dallimi në mes të faturës së re dhe asaj të vjetër do të jetë minimal. Nga 49.67 euro në 52.19 euro. Pra një rritje prej rreth 5% ose 2.5 euro më shumë në muaj. Në rast të konsumit të 1000 kWh duke llogaritur sërish një raport mesatar 60/40 të tarifës së lartë dhe të ulët, dallimi në mes të faturës së vjetër dhe asaj të re do të jetë rreth 17%. Nga 58.10 euro në 68.18 euro. Pra 10 euro më shumë në muaj për ata që konsumojnë 1 megavat orë në muaj. Në rast të konsumit 1200 kWh në muaj duke llogaritur një raport 60/40 të tarifës së lartë dhe asaj të ulët, dallimi në mes të faturës së vjetër dhe asaj që do të jetë pak më e lartë. Nga 69.35 euro në 89.51 euro një rritje prej 29% ose 20 euro”, ka thënë ai në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.
Një llogaritje të ngjashme e ka bërë dje edhe kryetari Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Por çmimet që i dolën Haradinajt sipas kësaj llogaritje ishin dukshëm më të larta se sa ato që prezantoi sot Kurti.
Sipas Haradinajt, me tarifat e reja të vendosura nga ZRrE, çmimi i energjisë elektrike për shpenzimin mesatar deri në 850 kWh, do të rriten për 86%.
Lideri i AAK-së tha se konsumatorët që kanë shpenzuar më parë 850 kWh kanë paguar faturë me çmimin 49.68 euro, teksa sipas Haradinajt fatura me tarifat të reja do të jetë 92.40 euro.
” Një qytetar i zakonshëm që minimalisht ka harxhuar 850kWh, me 60% në tarifën e lartë dhe 40% në tarifën e ulët, ka paguar 49.68 euro. Kurse tash, me Qeverinë Kurti që ka drejtimin e vendit, do të paguajë 92.40 euro”, ka shkruar ai në një postim në “Facebook”.
Ndërkohë kryeministri Kurti ka konfirmuar sot se kanë rritur shumën e subvencionimit të energjisë elektrike për qytetarët në 100 milion euro. Kjo për të ndihmuar konsumatorët shtëpiak.
“Përballë tarifave të reja të ZRrE-së ne tani kemi zotuar 100 milion euro për subvencionimin e energjisë elektrike për qytetarët e tanë. Pra shumën fillestare prej 75 milion euro e kemi ngritur në 100 milion. Besoj që kjo shumë e zotuar e ka mundësuar uljen e çmimeve të tarifave që fillimisht ishin propozuar nga ZRrE-ja dhe zhvendosjen e bllokut tarifor nga 600 kWh në 800 kWh”, tha më tutje ai.