Drejtori i KMSHK-së kërkon të merren masa urgjente kundër “Zotëriut të Parë”
Drejtori ekzekutiv i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës, Imer Mushkolaj, ka kërkuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Forca e Sigurisë së Kosovës, ndërmarrjen urgjente të masave kundër Prindon Sadriut, diplomatit dhe eprorit të Ushtrisë së Kosovës.
Mushkolaj ka argumentuar kërkesën për ndërmarrje të masave kundër Sadriut, me sulmet e tij ndaj mediave.
“Prindon Sadriu nuk është vetëm bashkëshorti i presidentes Vjosa Osmani, por është edhe diplomat i rangut të lartë, zyrtar shtetëror. Është edhe epror rezervë në FSK. Tash disa ditë ai përdor gjuhë linçuese kundër gazetarëve dhe mediave”, ka thënë Mushkolaj.
Gjuhën e udhëheqësit të Misionit Diplomatik të Kosovës në Shkup, Mushkolaj e ka krahasuar me atë të “ndonjë militanti të frustruar”.
“Ministria e Jashtme dhe FSK urgjentisht duhet të marrin masa ndaj tij dhe të veprojnë sipas rregullativave ligjore në fuqi. Ai nuk mundet që, në përpjekje për t’i mbuluar bëmat e bashkëshortes, të akuzojë gazetarë e media me fjalor të ulët që mbase mund ta përdor ndonjë militant i frustruar, por kurrsesi një diplomat”, ka shkruar Mushkolaj.
Në një reagim në rrjetet sociale të martën mbrëma, “Zotëriu i Parë” i cilësoi “Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale” mediat të cilat raportuan për shpenzimet për derivate të presidentes Vjosa Osmani, për periudhën kur ajo shërbente si deputete.
“Kur përfaqësuesit e Ndërmarrjeve të Përbashkëta kriminale, ‘gazetarët’ e parapolitikës, e persona të përfshirë në reket e në keqpërdorime milionëshe, moralizojnë. Janë këta moralizues e shpifës të cilët paguanin një natë akomodim me Nju Jork $1.200 në Hotel Interconntinental Manhattan, e mëngjesin e paguanin $50 për person (drekat e darkat iu shkonin deri ne mijëra dollarë)”, ka shkruar Sadriu, të martën vonë.
Kundër Sadriut, të mërkurën ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.
AGK-ja është shprehur e alarmuar me “gjuhën denigruese që Zotëria i Parë i Kosovës, Prindon Sadriu, ka përdorur ndaj gazetarëve dhe mediave në Kosovë”.