Çfarë po ndodh me krizën Rusi-Ukrainë: Zhvillimet më të fundit
Trupat e para amerikane arritën të shtunën në Poloni për t’i përforcuar aleatët e NATO-s në Evropën Lindore, tha Ministria e Mbrojtjes e Polonisë. Presidenti i ShBA-së, Joe Biden urdhëroi të mërkurën vendosjen e 1700 ushtarëve në Poloni dhe trupa të tjera në Rumani dhe Gjermani.
Presidenti francez Emmanuel Macron planifikon ta vizitojë Moskën të hënën dhe Kievin të martën. Javën në vijim, Olaf Scholz i Gjermanisë do ta vizitojë Kievin më 14 shkurt dhe Moskën më 15 shkurt. Ata do të flasin me homologët e tyre për masat diplomatike për t’i lehtësuar tensionet në rritje që kanë të bëjnë me pushtimin e mundshëm të Ukrainës nga Moska.
Presidenti kinez Xi Jinping i ka miratuar kërkesat e presidentit rus Vladimir Putin për t’i dhënë fund zgjerimit të NATO-s dhe për të marrë garanci sigurie nga Perëndimi. Këto çështje kanë rezultuar me një ngërç mes marrdhënieve të Rusisë me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj lidhur krizën në Ukrainë. Të dy udhëheqësit në fjalë, duke u takuar të premten në Pekin, shpallën gjithashtu një “miqësi” të re strategjike.
Sekretarja për media e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki shpërfilli takimin midis liderëve rusë dhe kinezë, duke u thënë gazetarëve në Uashington, “Ajo që ne kemi kontroll janë marrëdhëniet tona dhe mbrojtja e vlerave tona dhe gjithashtu kërkojmë mënyra për të punuar me vendet edhe ku nuk dakordohemi.”
Perëndimi po kërkon që Rusia t’i tërheqë trupat dhe armët e saj nga kufiri me Ukrainën, ndërsa Moska po bën presion që NATO t’i kufizojë operacionet e saj në Evropën Lindore dhe Qendrore. Rusia gjithashtu pohon se aleanca mbrojtëse perëndimore duhet ta refuzojë ofertën e anëtarësimit të Ukrainës, një lëvizje kjo të cilën Shtetet e Bashkuara e quajnë një “nostarter”./VoA