Vrasja e trefishtë në Gllogjan, Prokuroria e Pejës jep detaje për të dyshuarin që u arrestua sot
Prokuroria Themelore në Pejë ka ndaluar një person të dyshuar lidhur me vrasjen e trefishtë në Gllogjan të Deçanit.
Sipas prokurorisë i ndaluari është K.M., i dyshuar për veprat penale “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi apo kontroll e paautorizuar e armëve”.
Prokuroria poashtu ka kërkuar caktimin e paraburgimit ndaj të dyshuarit.
Njoftimi i plotë:
Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Rënda, njofton opinionin publik, se lidhur me rastin e vrasjes se trefishtë në Gllogjan të Komunës së Deçanit, ka ndaluar K.M., nën dyshimin se i njëjtit ka kryer veprat penale “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi apo kontroll e paautorizuar e armëve”
Prokurorja e çështjes, në vazhdën e hetimeve intensive për rastin në fjalë, ka autorizuar Policinë e Kosovës për arrestimin e K.M., i cili fillimisht është ndaluar për 48 orë .
Po ashtu, brenda afatit ligjore, prokurorja e çështjes, ka parashtruar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, në Departamentin e Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore të Pejës.
Për rastin tragjik i cili mori jetën e tre personave dhe plagosjen e një personi, kjo prokurori është duke ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme deri në ndriçimin e plotë të kësaj çështje penale.