Pas Rusisë, edhe një shtet tjetër i madh i kërkon garanci ShBA-së
Ministri i Jashtëm i Iranit, Hossein Amirabdollahian, tha të shtunën se vendimi i Shteteve të Bashkuara për t’i kthyer disa masa lehtësuese për sanksionet kundër vendit të tij nuk është i mjaftueshëm dhe tha se Uashingtoni duhet të ofrojë garanci për ringjalljen e marrëveshjes së vitit 2015 me fuqitë e mëdha.
“Largimi i disa sanksioneve në vete mund të përkthehet si mirëbesim. Përderisa ajo që është në letër është e mirë, nuk është e mjaftueshme”, tha kryediplomati Iranian, duke shtuar se njëra nga çështjet kryesore në bisedimet e Vjenës është marrja “e garancive, sidomos nga Perëndimi, për përmbushjen e detyrimeve të tyre”.
“Ne kërkojmë garanci në sferat politike, ligjore dhe ekonomike. Marrëveshje të caktuara tashmë janë arritur”, deklaroi zyrtari i lartë iranian.
Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë zhvilluar tetë runde të bisedimeve të tërthorta në Vjenë nga prilli i vitit të kaluar me qëllim të kthimit në fuqi të paktit me fuqitë kryesore – Shtetet e Bashkuara, Kinën, Rusinë, Francën, Gjermaninë dhe Britaninë -, me të cilin Iranit i ishin hequr sanksionet në këmbim të kufizimeve ndaj programit të tij bërthamor.
Pasi ish-presidenti amerikan, Donald Trump, i kishte tërhequr Shtetet e Bashkuara nga kjo marrëveshje më 2018, ai gjithashtu i kishte kthyer në fuqi sanksionet e ashpra kundër Iranit. Republika Islamike filloi të kundërpërgjigjej me shkeljen e kufizimeve të vendosura në marrëveshje. Teherani këmbëngul se programi i tij bërthamor është duke u zhvilluar vetëm për qëllime paqësore.