Si u arratis Radojçiq nga Policia e Kosovës? Kamerat dyshohet se ishin jashtë funksionit
Milan Radojçiq u ka ikur policëve të Kosovës në pikën kufitare të Bërnjakut në kohën kur ai kishte tentuar të futej në Kosovë.
Ia mësyu të hyjë në Kosovë.
Pikërisht përmes kësaj pike kufitare që gjendet në Bërnjak i kërkuari nga Policia e Kosovës Milan Radojiçiq tentoi të kalojë në orët e pasdites të së enjtes.
Por çështja e verifikimit i doli problem atij.
Radojiçiq po udhëtonte me veturë të tipit Shkoda me targa të Beogradit, e që me të gjendej me një pasagjer tjetër.
Në këtë pikë kufitare ndodhen edhe një numër i madh i kamerave.
Por dyshimet fillestare janë që këto kanë qenë jashtëfunksionit në momentin kur edhe ka ndodhur e gjithë ngjarja.
Për këto arsye, ndaj zyrtarëve të Policisë Kufitare, tanimë ka filluar të merret edhe Inspektoriati Policor i Kosovës.
Madje disa zyrtarë të IPK-së, do të hetojnë edhe në vendngjarje këtë rast.
Megjithatë, deri në mesditën e së premtes, të njëjtit nuk kanë qenë të pranishëm në këtë pikë kufitare, që ndan Kosovën me Serbinë.
Nga ky institucion gjatë së premtes kanë rekomanduar suspendimin e kapitenit, rreshterit dhe një zyrtari policor të cilët kanë që në krye të detyrës gjatë këtij incidenti.
Ndërkohë, Millan Radojiçiq ishte futur në “Stop listë” nga Prokuroria e Ferizajt, me autorizim të prokurorit Rasim Maloku në lidhje me rastin “Brezovica”.
Radojiçiq ishte shpallur në kërkim për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit. I njëjti pas një kohe ishte fshirë nga lista e kërkimit me vendim të prokurorit që po e hetonte çështjen. Pas një kohe Prokuroria Speciale sërish e ka vendosur në listën e personave të kërkuar.
Para disa javëve, SHBA e vuri në listën e sanksioneve atë dhe disa zyrtarë të tjerë të Listës Serbe, duke ua ndaluar hyrjen në territorin amerikan.