Përfaqësuesi Special i Bundestagut Adis Ahmetoviq – Vuçiqit: Serbia në BE vetëm pas normalizimit me Kosovën
I dërguari special i Bundestagut për Ballkanin Perëndimor, Adis Ahmetoviq, ka takuar sot në Beograd Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me të cilin ka biseduar për rrugën evropiane të këtij vendi, por edhe për situatën në rajon. Ahmetoviq i ka thënë Vuçiqit se rruga e Serbisë drejt BE-së është e lidhur me normalizimin e raporteve me Kosovën.
Në një deklaratë, Ahmetoviq ka thënë se biseda me Vuçiqin ka zgjatur 45 minuta dhe është diskutuar për marrëdhëniet e ngushta dypalëshe mes dy vendeve, si dhe perspektivën e Serbisë për anëtarësim.
“Marrëdhëniet dypalëshe midis Gjermanisë dhe Serbisë janë ende të ngushta dhe plot besim. Serbia në vitet e fundit ka bërë përparim të madh ekonomik dhe është bërë vend i shkencës. Kështu, ky vend është një motor i rëndësishëm i të gjithë rajonit”, nënvizoi Ahmetoviq.
Ai theksoi se sjell me vete përgjegjësi dhe pritshmëri. Sipas tij, Serbia ka një detyrë të madhe dhe të rëndësishme, që në mënyrë proaktive të kontribuojë në stabilizimin e rajonit dhe ndërtimin e urave të mirëkuptimit, apo t’i mbështesë ato.
Krahas integrimit evropian, bashkëpunimi me fqinjët dhe stabiliteti rajonal janë shtylla të rëndësishme të stabilitetit dhe progresit në Ballkanin Perëndimor.
“Unë dua të mbështes Serbinë në këto përpjekje. Jam shumë i interesuar për marrëdhëniet e mëtejshme të ngushta dypalëshe midis Serbisë dhe Gjermanisë, të cilat do të jenë të qëndrueshme dhe të ndërtuara mbi besimin. Integrimi i mëtejshëm evropian dhe një perspektivë e besueshme evropiane janë në krye të agjendës.”, tha Ahmetovic.
Ai përkujtoi se kjo përfshin normalizimin e gjithanshëm të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Vetëm kur të zgjidhet ai normalizim është e mundur që Serbia dhe Kosova të anëtarësohen në BE në të ardhmen”, theksoi Ahmetoviq.
Në Beograd, Ahmetoviq do të takohet edhe me përfaqësues të romëve, të politikës së jashtme dhe të Komisionit për Integrime Evropiane të Kuvendit të Serbisë, si dhe me përfaqësues të opozitës.
Ahmetoviq është deputet gjerman me origjinë nga Bosnja. Prindërit e tij boshnjakë ishin detyruar të largohen nga vendi i tyre për shkak të luftës brutale në fillim të viteve 90’të.