COVID-19 në Kosovë/ Mbi 4 mijë qytetarë janë vaksinuar brenda 24 orëve
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se në 24 orët e fundit janë administruar 4 mijë e 620 doza të vaksinës kundër koronavirusit.
Numri më i madh i qytetarëve të vaksinuar është grupi i atyre që e kanë marrë dozën e parë. Të vaksinuar me një dozë deri më tani janë 889.259 qytetarë.
Ndërsa me dozën e dytë janë vaksinuar 799.939 qytetarë.
Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë mbi 1 milion e 742 mijë doza të vaksinës.
Sipas raportit të MSh-së në 24 orët e fundit janë shënuar 3 mijë e 206 raste të reja ndërsa nuk ka pasur asnjë viktimë nga COVID-19.
Kujtojmë që prej sot kanë hyrë në fuqi masat e reja antiCOVID që janë miratuar dje nga Qeveria e Kosovës. Sipas tyre, zgjatet ora policore dhe shkurtohet orari i punës për gastronominë.