Kryhet takimi Blinken-Lavrov për Ukrainën, çfarë thanë dy diplomatët në Gjenevë?
Diplomatët e lartë të Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara kanë dështuar që të arrijnë pikë kthese në një tjetër rund të negociatave në Gjenevë, ndonëse diskutimet kanë ndihmuar në qartësimin e rrugës për të kuptuar shqetësimet e palëve, pas rritjes së tensioneve që lidhen me dyshimet se Rusia do të pushtojë Ukrainën, pavarësisht paralajmërimeve të Perëndimit për pasoja të mëdha.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov janë takuar për 90 minuta më 21 janar, teksa tentojnë të shmangin një luftë të re në Evropë.
Takimet janë zhvilluar edhe në kohën kur Moska po kërkon koncesione nga NATO-ja sa u përket lidhjeve që ka aleanca me ish-republikën sovjetike.
Të dy diplomatët kanë thënë se bisedimet kanë qenë të sinqerta dhe shpresojnë për më shumë diplomaci për krizën rreth Ukrainës.
“Ne nuk kemi pritur që sot të arrijmë te ndonjë pikë kthese, mirëpo besoj se jemi në rrugë për të kuptuar shqetësimet e njëri-tjetrit dhe pozicionet e njëri-tjetrit”, ka thënë Blinken pas takimit.
Në komentet e para pas takimit, Lavrov ka thënë se shpreson që “emocionet do të ulen” pas bisedimeve“të sinqerta” me Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë qenë “të hapura” dhe “të dobishme”.
As bisedimet e disa ditëve më parë nuk kanë arritur të krijojnë një urë për të tejkaluar ndasitë në mes të kryeqyteteve të Perëndimit dhe Moskës.
Blinken, në anën tjetër, ka paralajmëruar për kundërpërgjigje “të shpejtë dhe të ashpër” nëse Rusia pushton Ukrainën, por theksoi se Uashingtoni mbetet i hapur për të gjetur një zgjidhje diplomatike për krizën.
Rusia ka grumbulluar më shumë se 100,000 trupa në Krime dhe pranë kufijve të Ukrainës, duke ngritur alarmin në kryeqytetet perëndimore se Moska po përgatit veprime të mëtejshme ushtarake kundër Ukrainës.
Moska tashmë mbështet luftëtarët separatistë në një luftë të vazhdueshme në Ukrainën lindore që ka marrë jetën e më shumë se 13,200 personave që nga viti 2014, të njëjtin vit kur aneksoi ilegalisht Krimenë.
Para takimit të Gjenevës, zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov, tha se Rusia “nuk ka frikë nga askush, madje as nga SHBA-ja”, duke iu përgjigjur një pyetjeje të CBS News nëse “Ukraina e frikëson Rusinë”.
Inteligjenca ushtarake ukrainase tha më herët se Rusia po rekrutonte në mënyrë aktive “mercenarë” dhe po i dërgonte ata për stërvitje intensive në zonat e kontrolluara nga separatistët në Ukrainën lindore.
Shtetet e Bashkuara nuk presin t’i zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre me Rusinë për Ukrainën në bisedimet në Gjenevë të premten, por presin të shohin nëse diplomacia mbetet një opsion i zbatueshëm, tha Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, pas mbërritjes në takim.
“Ky është një moment kritik. Ju keni të drejtë: ne nuk presim t’i zgjidhim mosmarrëveshjet tona këtu sot”, tha Blinken në fjalën e hapjes për bisedimet me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov.
“Por, unë shpresoj dhe pres që ne të mund të shohim nëse rruga e diplomacisë, e dialogut, mbetet e hapur. Ne jemi të përkushtuar për të ecur në atë rrugë, për t’i zgjidhur dallimet tona në mënyrë paqësore”, shtoi Blinken.
Grumbullim ushtarak: Zbulohen autoblindat ruse afër Ukrainës
Që para nisjes për në Gjenevë, Blinken kishte theksuar se nuk parashikon një përparim në këto bisedime, të cilat, siç tha ai, duke pasur parasysh gjendjen ku ndodhen bisedimet, duhet të eksplorojnë nëse mund të vazhdohet vërtet të ndiqet rruga diplomatike për zgjidhjen e kësaj krize.
“Rusia mund të zgjedhë rrugën e diplomacisë dhe dialogut ose konfrontimin dhe pasojat”, tha Blinken më 20 janar, në një intervistë për televizionin gjerman ZDF.
Moska dëshiron që trupat e huaja të NATO-s të largohen nga Rumania dhe Bullgaria si pjesë e kërkesave të sigurisë që po kërkon nga aleanca e udhëhequr nga SHBA, tha të premten Ministria e Jashtme ruse para bisedimeve Rusi-SHBA në Gjenevë.
Rusia dëshiron “tërheqjen e forcave të huaja, pajisjeve dhe armëve” nga vendet që nuk ishin anëtare të NATO-s para vitit 1997, duke përfshirë Bullgarinë dhe Rumaninë, tha ministria në një deklaratë.
Moska është e zemëruar për mbështetjen ushtarake perëndimore për Ukrainën.
Uashingtoni dhe aleatët e tij kanë thënë se shumica e kërkesave të Rusisë nuk janë të negociueshme.
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, tha në një konferencë shtypi më 19 janar se Rusia do të përballet me pasoja të rënda ekonomike nëse ndodh një ofensivë ushtarake.
Rusia mohon planifikimin e një pushtimi, edhe pse shton retorikën luftarake dhe kërkon një listë garancish sigurie.
Kërkesat përfshijnë një premtim nga NATO për të mos pranuar kurrë Ukrainën dhe për një tërheqje të konsiderueshme të aleancës nga Evropa Lindore.