Kur do të miratohet Ligji për Paga? Ky është paralajmërimi i Qeverisë
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka përsëritur zotimin e tij se Ligji për Paga do të procedohet për miratim në Qeveri në muajin mars.
Ai ka thënë se ministrisë po i merr kohë analizimi i ligjit, por ka shtuar se “kjo do të shërbejë që ligji të jetë i zbatueshëm”.
“Nga raportimi i fundit që kemi pasur në dhjetor, jo më shumë se një muaj, janë zhvilluar takime të shpeshta për finalizim. Janë diskutuar koeficientet për secilën pozitë – në bazë parimore, të drejtë e mosdiskriminuese. Lista duhet të jetë parimore e të reflektojë barazi. Në përputhje me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, janë eliminuar pjesët ku është vlerësuar se janë tejkaluar kompetencat e Qeverisë”, ka thënë ai duke shtuar se me ligjin që planifikohet të miratohet “do të ketë sistem të mirëfilltë, afatgjate, të zbatueshme e funksionale të pagave dhe shpërblimeve”.
Sveçla ka thënë se MPB-ja po punon me Ministrinë e Financave për të caktuar koeficientin për të pasur barazi në sektorin publik.
Ai ka paralajmëruar hapjen e debatit publik në muajin shkurt.
Nga Qeveria, javë më parë kanë thënë se janë duke punuar në Ligjin për Paga, që siç kanë thënë qëllimi primar i tij do të jetë që të krijojë transparencë dhe barazi në sektorin publik, për dallim nga ai paraprak, që është shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese.
Kryeministri Kurti është zotuar se paga minimale do të ngritët në 250 euro.