Papa Françesku pret 200 shqiptarë: Skënderbeu s’është vetëm i së kaluarës
Papa Françesku u takua sot, në orën 17.00, në Sallën Klementine, në Vatikan, me një delegacion prej 200 shqiptarësh, ardhur në Romë me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut, Hero i Kombit shqiptar.
Në delegacion bënin pjesë kardinali shqiptar Ernest Simoni Troshani; Kryetari i Parlamentit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi; kreu i Bashkësisë myslimane, Skënder Bruçaj, kreu i Bashkësisë së Bektashive të botës, Haxhi Dede Edmond Brahimaj; e ngarkuara me punë e Ambasadës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, zonja Majlinda Dodaj, organizatore e takimit; kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot George Frendo, kryeipeshkëv metropolit i Tiranë Durrësi; Imzot Angelo Massafra, kryeipeshkëv metropolit i kryedioqezës Shkodër-Pult; ipeshkvi i Sapës, imzot Simon Kulli; ipeshkvi i Dioqezës arbëreshe të Ungros, në Kalabri, imzot Oliverio Donato, ipeshkvi i Horës së Arbëreshëve në Sicili (dioqezë arbëreshe), imzot Giorgio Demetrio Gallaro dhe një grup i madh artistësh shqiptarë, që sonte dha një koncert në Teatrin Argjentina, në Romë.
Gjergj Kastrioti, siç dihet, ishte mbrojtës i lirisë së popullit të vet dhe i mbarë krishterimit në Evropë, gjatë periudhës së Perandorisë Otomane e pati marrëdhënie me pesë Papë: Eugjenin IV, Nikollën V, Kalistin III, Piun II dhe Palin II. E dëshmon këtë afresku me portretin e Heroit, që ruhet akoma në fasadën e një pallati pranë Qurinales, dikur seli papnore.
Në takim dalloheshin kostumet arbëreshe e ato të veriut shqiptar, veladonët e ipeshkvijve, kapela e kuqe e kardinalit, veshjet për festë të besimtarëve, ndonjë fytyrë kureshtare e Trupit Diplomatik të akredituar pranë Selisë së Shenjtë, artistët me origjinë shqiptare, që njihen tashmë, në të gjithë botën.
Fjalët e Papës Françesku
Duke kujtuar Skënderbeun, Papa Françesku nënvizoi se Heroi kombëtar i shqiptarëve “mbrojti me guxim vlerat shpirtërore dhe emrin e krishterë, aq sa të meritonte titullin ‘Athleta Christi’. Me veprat e tij, farkëtoi identitetin kulturor shqiptar, duke u bërë simbol i padiskutueshëm lidhjeje dhe bashkimi kombëtar”.
Por Ati i Shenjtë nuk mbeti në kohët e shkuara. I nxiti shqiptarët për “një impenjim të risuar të të gjithëve – institucione e qytetarë – në favor të zhvillimit të vërtetë e të ekuilibruar, në mënyrë që brezat e rinj të mos detyrohen të zgjedhin emigracionin”.
U foli për “shqiptarinë” e Pashko Vasës, i cili e përdori këtë term për të “treguar identitetin shpirtëror, që i bashkonte gjithë shqiptarët, përtej dallimeve me natyrë fetare. Në Shqipëri – pohoi Papa – kjo bindje i dha shtysë bashkëjetesës paqësore ndërmjet njerëzve, që u përkisnin feve të ndryshme, duke u kthyer me kohë, në bashkëpunim e vëllazërim”.
Ati i Shenjtë kujtoi atmosferën e respektit e të besimit të ndërsjellët ndërmjet feve në Shqipëri – fakt, që e përmendi edhe gjatë udhëtimit të tij apostolik në vend, më 21 shtator 2014. E së fundi, kujtoi martirët e komunizmit dhe Nënë Terezën, shenjten shqiptare të dashurisë, duke u kërkuar të gjithëve të luten për të.
Koncerti në Teatrin Argjentina të Romës
Gjithë grupi i shqiptarëve, pas takimit me Papën Françesku, shkoi në Teatrin Argjentina, në qendër të Romës, ku në orën 20.30, 10 artistë shqiptarë me famë botërore dhanë koncertin me temë “Të bashkuar në muzikë, në kujtim të Skënderbeut”. Dua Lipa, Ermal Meta, Inva Mula, Olen Çezari, Ramë Lahaj, Genc Tukiçi, Eno Peçi, Elhaida Dani, Lorik Cana dhe Erza Muqolli, këngëtarja 8-vjeçare, aq e dashur për publikun francez: këta janë “yjet” shqiptare në koncertin e Romës për Gjergj Kastriotin. Publiku përshëndetet nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin.
Nesër, pritja në Urdhrin e Maltës
Nesër, në orën 10.00, delegacioni shqiptar do të pritet në Pallatin Magjistral të Urdhërit Sovran të Maltës, nga Mjeshtri i Madh, frà Giacomo Dalla Torre del Tempio di Sanguinetto. Me këtë Urdhër, Shqipëria ka lidhur marrëdhënie që nga viti 1994, shkruan syri.net.
Në vitin 1968, takimi me Papën Pali VI
Para 50 vjetësh, një grup tjetër shqiptarësh takohej me Papën Pali VI, i cili u shpall shenjt nga Kisha vetëm pak javë më parë. Ishte viti 1968, koha kur komunistët rrënonin kisha e xhami dhe e deklaronin vendin ateist. E siç shkruhet në numrin e parë të atij viti, në Revistën “Shejzat” të Ernest Koliqit, në atë kohë kur vetëm shqiptarët e diasporës mundën ta takonin, Pali VI u lut që e ardhmja e kombit shqiptar të jetë e denjë për të kaluarën e tij.
Në këtë pikë të dy Papët – Pali VI atëherë e Françesku sot – e mendojnë njëlloj. U bëjnë thirrje shqiptarëve të mos flenë mbi dafinat e së kaluarës, por të ndërtojnë të ardhmen, sipas shembullit më të mirë të heronjve të tyre.
Fjala e plotë e Papa Françeskut për delegacionin shqiptar
Të dashur vëllezër ipeshkvij e meshtarë,
vëllezër e motra!
Me kënaqësi të veçantë, ju uroj mirëseardhjen juve, që keni ardhur këtu me rastin e 550-vjetorit të vdekjes së heroit tuaj kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Përshëndes me mirënjohje të pranishmit dhe, me mendje, edhe gjithë shqiptarët, në atdhe e në vende të tjera të botës, të cilët, në emër të lidhjeve të lashta të miqësisë e të marrëdhënieve të vazhdueshme, e shohin gjithnjë me dashuri Selinë e Shën Pjetrit. Në këtë kuadër, më pëlqen të kujtoj se 50 vjet më parë, Shën Pali VI deshi të presë një përfaqësi të shqiptarëve.
Shqipëria, tokë me histori të lashtë e të lavdishme, është pjesë përbërëse e Evropës dhe përmes traditave të saj më fisnike e më jetësore dokumenton zanafillën e vetë qytetërimit të saj. Sot, kujtojmë e kremtojmë Gjergj Kastriotin Skënderbeun, bir heroik i një populli të fortë e bujar, që mbrojti me guxim vlerat shpirtërore dhe emrin e krishterë, aq sa të meritonte titullin “Athleta Christi”. Me veprat e tij, farkëtoi identitetin kulturor shqiptar, duke u bërë simbol i padiskutueshëm lidhjeje dhe bashkimi kombëtar, si edhe interpretues në nivelin më të lartë i vlerave të besnikërisë së ndershme ndaj impenjimeve të ndërmarra lirisht.
Rëndësia e veçantë e figurës dhe e veprës së Kastriotit përfaqësohet mirë në flamurin tuaj, me shqiponjën e zezë dykrenore në sfodin e kuq, bërë sipas stemës së heroit. Pak herë në histori, një individ i vetëm ka arritur t’i mishërojë kaq qartë e kaq gjerësisht virtytet e një populli, deri në atë pikë sa është e vështirë t’i kuptohet shpirti, pa u ndalur e pa marrë parasysh parimet dhe vlerat, që e frymëzuan atë personazh të veçantë.
Pas vdekjes së heroit dhe pas pushtimit të Shqipërisë, shumë shqiptarë preferuan të emigrojnë dhe shumë prej tyre u vendosën në Itali, në qendër të gadishullit e në jug, sidomos në Kalabri e Sicili, duke u dhënë jetë Rretheve kishtare shqiptare të Ungrës, të Horës së Arbëreshëve dhe të Grotaferratës.
Prania, në takimin e sotëm, të një grupi arbëreshësh, pra, italo-shqiptarësh, me traditat dhe shprehjet e tyre gjuhësore përçuar prej shekujsh, na bën të imagjinojmë atmosferën e Shqipërisë së Skënderbeut dhe na konfirmon se heroi kombëtar mbetet urë e vlefshme për ruajtjen e lidhjeve të frytshme të arbëreshëve me tokën e tyre të origjinës.
Për arsye të rëndësisë së veçantë të figurës dhe të veprës së gjithanshme të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, kuptohet më së miri pse Shqipëria ka dashur ta shpallë këtë vit, “Vit mbarëkombëtar të Skënderbeut”.
Uroj me gjithë zemër që ky përvjetor të mos kufizohet në kremtimin e lavdisë së veprave të kaluara, por të jetë për Shqipërinë edhe rast i volitshëm për impenjimin e risuar të të gjithëve – institucione e qytetarë – në favor të një zhvillimi të vërtetë e të ekuilibruar, në mënyrë që brezat e rinj të mos detyrohen të zgjedhin emigracionin, duke e dobësuar vendin nga forcat dhe aftësitë e domosdoshme për zhvillimin e tij njerëzor e civil.
Puna e përbashkët e të gjithëve drejt këtij objektivi do të bëhet mënyra më e mirë për të mishëruar në kohën e tanishme, dashurinë për atdheun, që frymëzoi Gjergj Kastriotin Skënderbeun, në kohën e vet. Ai, duke interpretuar sa më mirë karakterin dhe traditat e popullit tuaj, shprehu vlefshëm shqiptarinë, term i përdorur nga shkrimtari i shekullit XIX, Pashko Vasa, për të treguar identitetin shpirtëror, që i bashkonte të gjithë shqiptarët, përtej dallimeve me natyrë fetare. Në Shqipëri, kjo bindje i dha shtysë bashkëjetesës paqësore ndërmjet njerëzve, që u përkisnin feve të ndryshme, duke u kthyer me kohë në bashkëpunim e vëllazërim.
Siç pata rastin të pohoj, me rastin e vizitës sime në Shqipëri, “klima e respektit dhe e besimit të ndërsjellë ndërmjet katolikëve, ortodoksëve e myslimanëve është pasuri e çmueshme për vendin” (Takimi me autoritetet, 21 shtator 2014: Insegnamenti II, 2 [2014], 271). Ajo tregon se bashkëjetesa paqësore ndërmjet njerëzve, që u përkasin feve të ndryshme, është rrugë, e cila mund të përshkohet konkretisht, sjell harmoni dhe çliron forcat më të mira e krijimtarinë e mbarë popullit, duke e shndërruar bashkëjetesën e thjeshtë në bashkëpunim e vëllazërim të vërtetë. Gatishmëria për t’i konsideruar ndryshimet si rast për dialog, vlerësim e njohje të ndërsjelltë, favorizon gjithashtu, zhvillimin e udhëve shpirtërore të vërteta e bëhet shembull i vlefshëm, për t’u parë me interes të madh në ndërtimin e një paqeje të qëndrueshme, themeluar mbi respektimin e dinjitetit të njeriut.
Duke përkujtuar me mirënjohje shenjtorët martirë, që e dëshmuan fenë me çmimin e jetës, si edhe Shën Terezën e Kalkutës, me kënaqësi, i jap Bekimin Apostolik secilit prej jush, këtu të pranishëm, familjarëve tuaj dhe gjithë popullit shqiptar. Një favor, mos harroni të luteni për mua. Faleminderit.