Çka po kërkon i sanksionuari i Amerikës Radoiciq, në takim me Aleksandar Vuçiqin?
Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, ka takuar përfaqësuesit e Listës Serbe në Beograd. Nga pamjet brenda takimit është parë edhe Milan Radoiciq nënkryetar i këtij subjekti që është futur së fundi në listën e sanksioneve të Thesarit amerikan të shtetit
Në takim po merr pjesë edhe drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviq si dhe ministri i Brendshëm, Aleksander Vulin.
Prezent gjithashtu janë edhe kryetari Goran Rakiq dhe anëtarët Slavko Simiq dhe Dalibor Jevtiq.
Mbajtja e referendumit të Serbisë në Kosovë pritet të jetë tema e këtij takim, mbajtjen e të cilit po e kundërshton qeveria e Kosovës.
Ambasadorët e vendeve të QUINT-it si dhe Bashkimi Evropian i kanë bërë thirrje kryeministrit Kurti që të lejojë mbajtjen e këtij referendumi ashtu siç është bërë më herët.
Kurti pas takimit me ambasadorët e QUINT-it ka deklaruar se do të thërrasë seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për nesër në ora 14:00
Millan Radoiçiq, Zvonko dhe Zharko Vesellinoviq, Srgjan Vulloviq, Zhelko dhe Andrija Bojiq dhe Radulle Steviq – të gjithë serbë nga Kosova – janë vënë në listën e sanksioneve të Departamentit të Thesarit të SHBA-së.
Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja, në kuadër të këtij departamenti, publikoi të mërkurën një listë të individëve dhe kompanive të tyre në vende të caktuara, që me një emër quhen “Shtetas të etiketuar në mënyrë të posaçme”.
Me futjen e tyre në listë të sanksioneve, prona e tyre kryesisht bllokohet dhe qytetarëve amerikanë u ndalohet të bashkëpunojnë me ta.
Në komunikatën e Departamentit amerikan të Thesarit, Zvonko Vesellinoviq identifikohet si udhëheqës i Grupit të Krimit të Organizuar dhe gjithashtu si një nga figurat më famëkeqe të korrupsionit në Kosovë.
Grupi i tij është i angazhuar në skema të mëdha të ryshfetit me zyrtarë të sigurisë, kosovarë dhe serbë, të cilët lehtësojnë trafikimin e paligjshëm të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve midis Kosovës dhe Serbisë, thuhet në komunikatë.
Sipas saj, grupi gjithashtu ka bërë komplot me politikanë të ndryshëm për favore të ndërsjella, përfshirë dhënien e ryshfetit zyrtarëve kosovarë të sigurisë, për të lejuar operacione të tyre të kontrabandës midis Serbisë dhe Kosovës në fillim të vitit 2019 dhe dhënien e ryshfetit zyrtarëve kufitarë të Kosovës për t’iu lejuar kontrabandistëve kalim të sigurt në fund të vitit 2017.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se “këto sanksione shënjestrojnë autorët e korrupsionit, në përputhje me Urdhrin Ekzekutiv 13818”, i cili bazohet në Aktin Global të Përgjegjshmërisë për të Drejtat e Njeriut, i njohur si Akti Magnitsky.
“Krimi i organizuar transnacional është destabilizues. Këto grupe shpesh bashkëpunojnë me zyrtarë publikë për të mbrojtur veten nga ndjekja penale dhe përgjegjësia”.
“Organizatat kriminale transnacionale operojnë edhe përtej kufijve, duke minuar sistemin financiar ndërkombëtar dhe duke komplikuar përpjekjet e zbatimit të ligjit për prishjen dhe çmontimin e krimit transnacional në nivel global”, tha Blinken, duke komentuar sanksionet e Departamentit amerikan të Thesarit kundër, siç tha, “aktorëve të korruptuar”, të lidhur me organizata kriminale transnacionale Kosovë dhe Serbi.
Kush janë serbët e Kosovës të përfshirë në listë?
Vëllezërit Vesellinoviq akuzohen po ashtu se kanë bërë marrëveshje me politikanët për t’i ndihmuar partitë e tyre që t’i fitojnë zgjedhjet dhe se u kanë dhënë para kandidatëve.
Në këmbim, politikanët u kanë dhënë atyre kontratat më të mira të infrastrukturës, informacione mbi pronësinë për t’i mbështetur investimet e tyre dhe kontroll mbi fusha të caktuara të biznesit të tyre, njoftoi Departamenti i Thesarit.
Sipas tij, në listën e sanksioneve, i lidhur me Zvonko Vesellinoviqin është edhe Millan Radoiçiq, nënkryetar i partisë kryesore serbe në Kosovë – Lista Serbe.
Radoiçiq ka lidhje me vrasjen e politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq.
Në listë është edhe Zhelko Bojiq, ish-shef i Operacioneve të Policisë së Kosovës për Veriun, i cili gjithashtu është i lidhur me vrasjen e Ivanoviqit dhe kërkohet nga institucionet e Kosovës.
Marko Roshiq, i akuzuar në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, është po ashtu në listë.
Në mesin e tyre është edhe Radulle Steviq, sipërmarrës serb nga veriu, i njohur për fitimin e shumë tenderëve të institucioneve të Kosovës për projekte të ndryshme infrastrukturore në veri të Kosovës.
Lista përfshin edhe kompani të shumta nga Serbia dhe Kosova, të cilat janë të lidhura me disa nga të përmendurit më lart.
Në mesin e tyre janë shumë kompani që janë të lidhura me Zvonko Vesellinoviqin, si: “Dolly Bell” nga Beogradi, kompania për shitjen e automjeteve “Civija Komerc” nga Shabaci, kompania ndërtimore ‘INCOP’ nga Quprija, kompania e betonit “Aleksinac”, dyqani i pavarur “Prizma” nga Mitrovica e të tjera.
Në listë është edhe kompania “Doo Rad” e Radulle Steviqit në Zveçan, si dhe disa kompani të Millan Radosavleviqit dhe Sinisha Nedelkoviqit.
Lista e sanksioneve, e publikuar të mërkurën, përfshin edhe disa persona të lidhur me organizatat kriminale në El Salvador.
Blinken tha se SHBA-ja do të vazhdojë t’i përdorë të gjitha mjetet në dispozicion për të thyer lidhjet midis aktivitetit kriminal dhe korrupsionit.
Sipas ueb-faqes së Departamentit amerikan të Thesarit, Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja menaxhon dhe zbaton sanksionet ekonomike dhe tregtare, bazuar në politikën e jashtme të SHBA-së dhe sigurinë kombëtare.
Sanksionet aplikohen kundër vendeve dhe regjimeve të huaja që janë në shënjestër, terroristëve, trafikantëve ndërkombëtarë të drogës dhe atyre që përfshihen në aktivitete që lidhen me përhapjen e armëve të shkatërrimit në masë dhe me kërcënime të tjera për sigurinë kombëtare, politikën e jashtme ose ekonominë e Shteteve të Bashkuara.