Koalicioni LDK-PDK në Pejë, Xhavit Haliti flet për marrëveshjen, drejtoritë dhe emërimet
Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës në Pejë, Xhavit Haliti është deklaruar rreth koalicionit të sotëm që ka arritur me kryetarin e komunës dhe LDK-së në Pejë Gazmend Muhaxherin, për bashkëqeverisje në këtë komunë.
Pas arritjes së marrëveshjes me Muhaxherin, Haliti ka folur për raportet mes partnerëve gjatë dy mandateve të kaluara.
“Së pari, ne kemi koalicion të qëndrueshëm me LDK-në dhe Gaz Muhaxherin. Marrëveshja e sotme është për mandatin e tretë bashkë. Në dy mandatet e kaluara me LDK-në dhe Muhaxherin në Pejë, legjislaturat kanë funksionu, kuptohet ka pasur probleme, por anësore. Nisur nga kjo, ne kemi vendosur të vazhojmë.”tha Haliti në Radio 1.
Tutje Haliti ka folur edhe për çështjen drejtorive që do ti takojnë PDK-së dhe emërimeve të drejtorëve nga ky subjekt.
“Çështja e Drejtorëve shumë herë konceptohet gabimisht nga ata që janë, ose ishin drejtor. Pra duhet ditur, kuptuar se emërimet janë fuqizim politik dhe dhënie e shansit për fuqizim dhe jo për pasurim. Drejtorët e PDK-së nëpër drejtoritë komunale të Pejës, e ku violinë e parë është Gaz Muhaxheri, do të jenë në shërbim të qytetarëve dhe në shërbim të ruajtjes së emrit personal të tyre dhe domosdo larg angazhimt klientelist”, tha Haliti.
I pyetur se a u është vazhduar mandati dikujt nga drejtorët e mandatit të kaluar, Haliti u shprehë se kësaj pyetje i është përgjigjur më lartë.
“Unë tani po besoj se sapo u sqarova në këtë pikë, në përgjigjen që u japa më lartë. Tjetër çfarë mund të shtoja këtu është se emrat e drejtorëve do ti keni gjatë orëve në vazhdim, ose nesër më së largu”, tha Haliti në ‘RADIO 1’.
Ndryshe, Radio 1 nga burime brenda PDK-së merr vesh se në të 4 drejtoritë që i takojnë këtij sbujekti në Pejë, tashmë janë vënë emra të rinj të drejtorëve që do udhëheqin me dikasteret përkatëse.
Me marrëveshjen e sotme për bashkëqeverisje në komunën e Pejës, në mes të Gazmend Muhaxherit dhe Xhavit Halitit, PDK-së do t;i takojnë: Drejtoria e Inspektoratit, Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik, Drejtoria për Urbanizëm dhe Drejtoria për Mbrojtje dhe Emergjencë.
Tre nga këto drejtori PDK-së i kanë takuar edhe në mandatin e kaluar. Ndryshim ka ndodhur vetëm tek Drejtoria për Punë Komunale dhe Shërbime Publike që tani e ka marrë LDK duke e lëshuar ate të Zhvillimit Ekonomik për PDK-në.
Drejtorët e mandatit të kaluar nga radhët e PDK-së kanë qenë: Leotrim Murtezaj – Drejtor i Inspektoratit, Rajan Arapi – Drejtor i Urbanizmit, Xhevahire Çeku – Drejtoreshë për Punë Komunale dhe Shërbime Publike dhe Muhamet Mahtumaj – Drejtor për Mbrojtje dhe Emergjencë.