Nasim Haradinaj i fajëson gazetarët për punën e dosjeve të Speciales
Ish-nënkryetari i OVL të UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka thënë se gjithçka që përmbanin dosjet të cilat u lanë para derës së organizatës, ishin informacione që diheshin. Në pyetjet e drejtuara nga mbrojtja, Haradinaj ka thënë se kishte lajmëruar mediat për dokumentet kur erdhën, dhe sipas tij, në to ishte ajo “çka është folur para dy muajsh dhe dukej si draft-akuza ndaj Thaçit”.
Më tej, ka treguar se në dosje kishte parë emrat e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, ndërsa shtoi se nuk ka përmendur asnjë emër tjetër.
Ai ka thënë se të tjerë njerëz futnin emra të tjerë nga ata që ishin në dokumente, por këmbënguli se OVL-ja nuk kishte dhënë emra tjerë. Këtu përfshiu gazetarë e media, për të cilat tha se kanë dhënë mendimin e vet për të bërë lajm, jo të bazuar nga informacionet e sakta që jepeshin nga OVL-ja.
“Jo, ata emra që kanë qenë të shkruar, nuk kam mundur të cekë të tjerë emra. Ka pasur emra të fshatrave, si Radoniqi e të tjerë, ato që kanë qenë të cekura. Informacioni ka qenë jo vetëm kombëtar por ndërkombëtar, sepse ka qenë atë ditë presidenti që është kthyer nga Amerika. Nuk ka qenë asgjë e fshehtë, asnjë gjë, është diskutuar dy muaj kjo çështje. Bile njerëzit futshin emra të tjerë, që nuk i kam parë aty, secili gazetar dilte me mendimin e vet me bë lajm, kinse po di diçka. Është kulturë e disa mediave të pakontrolluara në Kosovë, me bë lajm, sidomos portalet, por edhe gazetarë që paguhen që e dinë vetë kush i paguan”.
Haradinaj ka thënë se dosjet u dorëzuar mediave për ta hequr barrën nga organizata, kurse shtoi se, gazetarët kanë manipuluar me to.
“Kemi dashtë ashtu siç kanë qenë me ua dorëzua gazetarëve, qëllimi ynë ka qenë të jemi transparent dhe me e heqë si barrë prej nesh. do ishte shumë më keq sikur t’i mbanim aty dhe të manipulohej me to. Edhe aq sa është manipuluar, është manipuluar nga gazetarët, që nuk është përgjegjësi e jona. Të vetmin gabim nëse e paskemi bërë, është se e kemi marrë prej zyrave tona dhe i kemi dërguar një kat më lartë zyrës sonë. Asgjë tjetër nuk kemi bërë”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se mediat kanë marrë shumë dokumente dhe se organizata nuk i ka mbikëqyrë.
“Kanë marrë shumë. Nuk e kemi këqyrë më. Kanë qenë të shpërndara ato”.
Foli edhe për kontaktin me ZPS-në. Haradinaj tha se ZPS-ja nuk ka qenë fort e interesuar t’i merrte menjëherë dokumentet.
“Nuk kanë qenë fort të interesuar të ngjiten aty lartë. I kam thënë ka gazetarë dhe nëse je interesuar hip dhe merri. Ka thënë bisedojmë ne njëherë dhe pastaj ngadalë është ngjitë, i ka marrë dhe i ka sjellë poshtë. Ka thënë po i marrim dhe e ka marrë një fletë, dhe meqë kemi qenë përballë të ulur e di që ia ka zgjatë kryetarit për ta nënshkruar. Kryetari është invalid dhe distanca ishte e lartë, i thash a bën unë ta marr, e mora dhe e nënshkrova. E ka marrë atë çantë dhe ka dalë. Këto të tretat i kam nënshkruar unë, por në këtë formë i kam nënshkruar. Pastaj nuk e di më a ia ka dorëzuar kryetarit apo çka”, ka thënë Haradinaj.Seanca do të vazhdojë të mërkurën./koha.net/