Amerikani bëhet njeriu i parë në botë që i vendoset zemra e derrit
Një burrë nga Shtetet e Bashkuara është bërë personi i parë në botë që i është vendosur një zemër derri, e cila është e modifikuar gjenetikisht.
David Bennett, 57 vjeç, është në gjendje të mirë tri ditë pas procedurës eksperimentale që zgjati shtatë orë në Baltimore, thonë mjekët.
Ky transplantim cilësohej si shpresa e fundit për ta shpëtuar jetën e amerikanit, ndonëse ende nuk është e qartë se cilat janë gjasat afatgjata për mbijetesë, shkruan BBC, përcjell Gazeta Express.
“Ishte ose vdis, ose bëje këtë operacion. E di se është një e shtënë në errësirë, por ishte zgjedhja ime e fundit”, tha Bennett një ditë para se t’i nënshtrohej operacionit.
Mjekëve në Qendrën Mjekësore të Universitetit të Maryland-it iu dha leje e posaçme nga rregullatori shëndetësor amerikan për këtë procedurë, me arsyetimin se nëse një gjë e tillë nuk do të lejohej, burri do të kishte vdekur.
Kirurgu Bartley Griffith tha se ky operacion do ta sjellë botën një hap më afër zgjidhjes së problemit të mungesës së organeve. Kjo krizë nënkupton se 17 njerëz vdesin në ditë në Shtetet e Bashkuara duke pritur për transplantim organesh, ndërsa më shumë se 100.000 raportohet se janë në listën e pritjes.