Gjykata Speciale dhe EULEX-i njoftojnë për ardhjen e Veselit në Kosovë, pas vdekjes së nënës
Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale dhe EULEX-i, kanë konfirmuar vizitën e ish-kreut të Partisë Demokratike, Kadri Veselit, në Kosovë, pak ditë pas vdekjes së nënës së tij.
“Për shkak të arsyeve detyruese humanitare, gjyqtari i procedurës paraprake udhëzoi sekretarin që të menaxhojë një vizitë në Kosovë për z. Veseli për ta takuar familjen. I akuzuari mbetet në paraburgim nga Dhomat e Specializuara. EULEX-i dhe Policia e Kosovës po mbështesin Dhomat e Specializuara të Kosovës”, tha për Reporteri.net Michael Doyle nga ZPS-ja.
Edhe nga EULEX-i po ashtu kanë dhënë një konfirmim.
“EULEX-i dhe Policia e Kosovës po mbështesin Dhomat e Specializuara të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e EULEX-it për Reporteri.net.
ZPS po ashtu tha se për arsye operacionale dhe për të respektuar privatësinë e Kadri Veselit, “nuk mund të japin asnjë informacion shtesë për vizitën e kujdestarisë në Kosovë”.
Veseli sot vizitoi edhe varrin e nënës së saj, Ajshe Veselit, së cilës iu dha lamtumira e fundit më 7 janar.
Që nga nëntori i vitit 2020, Kadri Veseli bashkë me Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin, gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.
Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.
Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë, përkatësisht në Kukës dhe Cahan.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.