“Babai pati tentuar ta vriste nënën me çarçaf më herët”, dëshmia e fëmijës së çiftit në Llaushë
Përveç dhunës fizike e psikike që e kishte përjetuar 48-vjeçarja nga Skenderaj prej bashkëshortit të saj, ai kishte tentuar ta vriste edhe më herët, siç bëhet e ditur në kërkesën e Prokurorisë për paraburgim.
Sipas këtij dokumenti, e ndjera, në gusht të vitit të kaluar kishte arritur të ikte nga ai, derisa nuk e kishte raportuar rastin, pasi, siç ka thënë, nuk donte t’i linte fëmijët dhe se shpresonte se burri i saj do të ndryshonte. Policia ndërkaq ka arsyetuar veprimet e zyrtarëve të saj
Edhe një vrasje e një gruaje e ka vënë në pah neglizhencën e institucioneve të drejtësisë.
Lirije Qerimaj, 48-vjeçare, u vra mesditën e 5 janarit, nga bashkëshorti i saj me të cilin jetonte tash e 20 vjet.
E ndjera, në drejtim të së cilës u shkrepën gjashtë fishekë, e kishte denoncuar burrin e saj për dhunë në familje, por institucionet nuk e kishim marrë seriozisht këtë.
Madje, bashkëshorti i saj, Skender Qerimaj, kishte tentuar ta vriste Lirijen edhe para disa muajsh. Për këtë ka folur njëri nga fëmijët e saj, e që në Prokurori kishte thënë se në gusht të vitit 2021 babai i tij kishte tentuar ta vriste nënën e tyre natën me çarçaf, dhe që tashmë e ndjera kishte arritur të ikte.
“Babi i thoshte nënës ‘dil nga shtëpia’, por edhe të tjerëve ju thoshte ‘nëna e juve nuk vyen asgjë’, por kurrë nuk kemi treguar. Në muajin gusht 2021 babi ka bërë përpjekje që natën kur ka qenë në gjumë ta plasë me çarçaf, por nëna ka ikur në dhomën e fëmijëve, por rastin nuk e kemi raportuar me shpresë se bëhet mirë”, kishte thënë fëmija në dëshminë e vet.
Por dhuna ndaj Lirijes nuk ishte ndalur. Vetëm 5 muaj pas tentim-vrasjes, burri i saj kishte vazhduar ta dhunonte fizikisht e psikikisht, për çka ajo kishte vendosur ta denonconte në Polici, në ditën e parë të këtij viti.
Në kërkesën e paraburgimit të Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, të cilën e posedon KOHA, tregohen edhe se çfarë kishte deklaruar e ndjera, në ditën kur e kishte denoncuar. Ajo kishte thënë se burri i saj vazhdimisht i ka shkaktuar dhunë fizike e psikike, por nuk e kishte raportuar më herët se kishte menduar se do t’i kalonte dhe se nuk donte t’i linte fëmijët. Madje, ajo kishte kërkuar edhe urdhër-mbrojtje, për shkak se burri e kishte larguar nga shtëpia, gjë e cila iu ofrua nga institucionet përgjegjëse, në ditën e vdekjes.
Për këtë nëpërmjet një komunikate, Policia e Kosovës është arsyetuar duke thënë se për rastin janë marrë të gjitha veprimet e nevojshme dhe se palët ishin dërguar në Stacionin Policor në Skenderaj. Megjithatë, te viktima, siç është thënë prej tyre, nuk ishin vërejtur shenja dhune e as e njëjta s’kishte potencuar se është rrahur nga bashkëshorti.
Për dhunën e ushtruar ndaj Lirijes, kujtohet edhe vetë i dyshuari që tashmë është në paraburgim, por ai thotë të mos i kujtohet se si e kishte shkrepur armën në drejtim të saj. Para Policisë ai ka deklaruar se në momentin kritik ka dashur të largohet nga shtëpia, por që i është gjuajtur në armë e ndjera, dhe se, sipas tij, nuk i kujtohet se si ka ndodhur gjuajtja. Ndonëse i dyshuari ka deklaruar që nuk ka ndonjë sëmundje, avokati i tij ka kërkuar ekzaminim psikiatrik.
“Duke pasur parasysh dispozitën apo nenin 508 të KPPRK-së, si dhe nenin 146 të po të njëjtit kod, unë si mbrojtës kam propozuar që ndaj të mbrojturit tim gjykata të urdhërojë ekzaminimin psikik me qëllim që të kemi një gjykim sa më të drejtë në lidhje me gjendjen faktike. Sepse unë si mbrojtës konsiderova që vepra e dyshuar penale është kryer në gjendje të zvogëluar të aftësisë mendore”, ka thënë avokati Elvir Imeri.
Në lidhje me lënien në liri të të dyshuarit, edhe pas denoncimit nga tashmë e ndjera, kanë reaguar Zyra e Kryeprokurorit të shtetit e ministrja e Drejtësisë. Ata kanë kërkuar të ndërmerren veprimet e nevojshme ndaj zyrtarëve të prokurorisë e të gjykatës, që kanë qenë të përfshire në këtë rast.
Muaj më parë, mosndërmarrja e veprimeve nga institucionet përkatëse, kishte çuar në vrasjen e 18-vjeçares nga Ferizaj, Marigona Osmani.