“Është një zonë lufte”: Rrugët janë kthyer në një fushë beteje në Kazakistan
Forcat e armatosura në Kazakistan vranë shumë demonstrues sot pasi rrugët e Almaty u kthyen në një ‘zonë lufte’, me protestuesit që akuzohen për prerjen e kokës së tre oficerëve të policisë.
Sipas medieve të huaja automjetet e djegura kanë mbushur rrugët e qytetit, disa ndërtesa qeveritare janë shkatërruar dhe gëzhoja plumbash janë shpërndarë mbi territorin e rezidencës presidenciale, e cila të mërkurën u sulmua dhe u plaçkit nga protestuesit.
Ndërkohë, trupat nga një aleancë ushtarake e udhëhequr nga Moska mbërritën si ‘paqeruajtës’ në ndihmë për të shuar trazirat në rritje pasi presidenti Kassym-Jomart Tokayev – një aleat i Vladimir Putinit të Rusisë – i bëri thirrje brenda natës Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive të mbizotëruar nga Rusia (CSTO), e cila përfshin pesë shtete të tjera ish-sovjetike.
I parë prej kohësh si një nga republikat më të qëndrueshme të ish-sovjetike të Azisë Qendrore, Kazakistani i pasur me energji po përballet me krizën e tij më të madhe në dekada pas ditëve të protestave për rritjen e çmimeve të karburantit që u përshkallëzuan në trazira të gjera.
Zyrtarët kanë thënë se më shumë se 1,000 njerëz janë plagosur deri më tani në përleshjet, me gati 400 të shtruar në spital dhe 62 në kujdes intensiv.
Numri i protestuesve të vrarë nuk është zbuluar, por policia tha më herët se kishte ‘eliminuar’ dhjetëra protestues.
Ministria e Brendshme e Kazakistanit tha të enjten se 18 oficerë sigurie janë vrarë dhe 748 janë plagosur në përleshjet me protestuesit. Ministria tha gjithashtu se 2,298 protestues ishin arrestuar.
“Situata më e vështirë mbetet në Almaty, ku njerëz të armatosur mësynë dhe shkatërruan pjesërisht një numër të objekteve të organeve shtetërore, organizatave financiare, kompanive televizive dhe objekteve tregtare”, tha ministria e brendshme në një deklaratë të transmetuar nga agjencitë ruse të lajmeve.
Të shtënat vazhduan të enjten, me raporte që thanë se ushtarët po qëllonin mbi protestuesit dhe makinat në sheshin kryesor të Almaty. Ka raportime për vdekje të shumta.
“Është një zonë lufte”, tha një dëshmitar okular, ndërsa të shtënat me armë vazhduan në qendër të qytetit Almaty këtë mbrëmje.