‘’Shkak xhelozia’’ – Dhuna në Llaushë u raportua në polici më 1 janar, QPS: I ofruam strehë viktimës, nuk pranoi
Gjatë ditës së djeshme, në fshatin Llaushë të Skenderajt ndodhi një vrasje makabër brenda një familjeje. Është burri që vrau me armë gruan e tij 48-vjeçare.
Ngjarja që tronditi vendin rezulton të ketë ardhur si pasojë e dhunës fizike dhe psiqike fillimisht. Mirëpo jo vetëm aq.
Bazuar në raportimin e mediumit online periskopi, shkaktar i privimit të gruas nga jeta ishte xhelozia e tepërt e burrit ndaj saj.
Krimi ndodhi në sallonin e shtëpisë së çiftit në Llaushë të Skenderajt dhe në momentin kur hetuesia kishte arritur ne vendin e ngjarjes, kishin parë sallonin e shtëpisë të shndërruar në “pellg gjaku”, teksa aty ndodheshin dy nga tre fëmijët e çiftit. Në vendin e ngjarjes janë gjetur gjashtë gëzhoja plumbash, por akoma nuk dihet se sa plumba u shkrepën në trupin e viktimës nga burri 51 vjeçar.
Nga Qendra për Punë Sociale në komunën e Skenderajt kanë konfirmuar se rasti për herë të parë në polici ishte paraqitur më datë 1 janar 2022. Si rezultat, në trajtim të rastit ishin ftuar edhe zyrtarët e QPS’së.
Sipas tyre, viktima kishte deklaruar se burri kishte ushtruar dhunë fizike ndaj saj edhe më herët, por që deri në ditën e parë të vitit të ri nuk kishte shkuar asnjëherë në polici.
‘’Më datën 1 janar. Unë kam marrë atë ditë një informacion prej policisë. Diku rreth orës 14:00 që ka fillu intervistimi prej zyrtares policore për dhunë në familje. Gajtë intervistimit e kemi pa se ajo ka pasë dhunë edhe të mëhershme, mirëpo nuk e kishte raportuar asnjëherë.’’, ka thënë shefi i Shërbimeve Sociale në QPS Skenderaj.
Ky institucion i kishte ofruar edhe strehë viktimës, mirëpo as ajo e as djali i saj 20-vjeçar nuk kishin pranuar.
‘’Ne jemi marrë me të, i kemi ofru trajtim, jemi mundu me e dërgu në strehimore, që e kemi në regjion të Mitrovicës. Mirëpo viktima atë ditë nuk deshi me pasë një vetstrehim, na tha se unë e kam shtëpinë dhe bashkërisht me të ishte edhe djali i saj i moshës 20 vjeçare. Ai tha se mamin unë e marr vet në strehim dhe s’ka nevojë me shku diku tjetër por ne e kemi një shtëpi dhe mundemi me ia ofru trajtimin dhe kujdesi. Kemi bisedu atë ditë me prokurorë dhe policë, rasi është hapur, pastaj është lajmëruar edhe mbrojtësi i viktimave’’, tha ai për Periskopin.
Tutje nga QPS treguan që për shkak të festave të fundvitit, nuk kishin arritur që të zhvillojnë ndonjë vizitë shtesë në familje, siç parashihet edhe me procedura.
‘Atë natë u lirua dorasi. Tutje s’kemi mujt me bë vizitë në familje shkaku i festave të fundvitit dhe pushimeve. Rasti i vrasjes kishte ndodhur diku në orën 1:30 dhe nuk kemi arritë me dalë.
Periskopi tutje nga burime brenda Policisë ka mësuar se viktimës i ishte ofruar urdhër mbrojtës, gjë që e kishte pranuar.
‘’Ata nisën një procedurë, por tash veç mbeti në gjysmë. Edhe ajo ka shpreh dëshirën që vet me u kthy në shtëpi. I ka edhe dy fëmijë tjerë, 17 dhe 16 vjeçare. E kemi lut edhe për urdhër mbrojtës me caktu, atë e ka kërku. E kemi njoftu mbrojtësin e viktimave në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë. Dhe tek dje na thanë që e kanë bë një shkresë për ta cuar në Gjykatë, mirëpo rasti tashmë ndodhi’’, thotë ky burim për Periskopin.
Mësohet se viktima kishte deklaruar gjatë intervistimit se bashkëshorti i saj që një kohë të gjatë shprehtë xhelozi ekstreme ndaj saj, me arsyetimin se po e tradhtonte.
Ndërsa lidhur me rastin, Policia zyrtarisht dje ka njoftuar se Nga i dyshuari është sekuestruar një armë e llojit pistoletë me tre fishekë, ndërsa në vendin e ngjarjes janë sekuestruar gjashtë gëzhoja.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Skenderaj, Agron Mehmeti, ka treguar se viktima ka pasur tre plagë të rënda, dy në gjoks dhe një në dorë.
Ai ka deklaruar se viktima ka qenë me shenja jete deri sa është dërguar në spitalin e Mitrovicës.
“Qendra Emergjente është njoftuar rreth orës 14:00 për një rast në fshatin Llaushë dhe menjëherë ka shkuar ekipa kujdestare me doktoreshën dhe ekipin e infermierëve në shtëpi dhe e kanë marrë një grua rreth moshës 48 vjeçare me plagë të rënda dhe e kanë transferuar menjëherë në qendrën emergjente dhe ju ka dhënë ndihma e parë dhe me autoambulancë me shenja jete ka shkuar deri në spitalin rajonal të Mitrovicës. Ekipa kur ka shkuar në shtëpi që ta marrë, e ka marrë me shenja jete, ka qenë gjallë deri në spitalin rajon të Mitrovicës, edhe pse në gjendje shumë të rëndë, me tri plagë të rënda, sipas drejtorit kujdestar. Plagët kanë qenë të lokalizume, në regjionin e gjoksit dy dhe në regjionin e dorës”, ka deklaruar ai.