Ben-Meir: Lejimi i liberalizimit të vizave mund të avancojë integrimin e Kosovës në BE
Alon Ben-Meir, profesori i Qendrës për Çështjet Globale në Universitetin e Nju Jorkut dhe anëtar i lartë në Institutin e Politikave Botërore, njëherësh edhe njohës i çështjeve të Ballkanit Perëndimor, ka paraparë një alternativë për eliminimin e fobisë së vendeve të BE-së ndaj emigrantëve në rastin e Kosovës karshi liberalizimit të vizave.
Ben-Meir ka propozuar nga vendet e BE-së që kosovarëve t’u mundësohet vizita për 3 muaj, derisa ata që dëshirojnë të qëndrojnë më gjatë t’i nënshtrohen procedurave të aplikimit për viza.
“Lejimi i liberalizimit të vizave për kosovarët mund të avancojë integrimin e Kosovës në BE. Shqetësimet e se kosovarët do të qëndrojnë në vendet e BE-së dhe nuk do të kthehen në Kosovë mund të eliminohen duke kufizuar qëndrimin për jo më shumë se 3 muaj, teksa çdo kosovar që dëshiron të qëndrojë më gjatë duhet të aplikojë për zgjatjen e vizës. Në këtë mënyrë Kosova do të arrijë një nga qëllimet e saj kryesore të rëndësishme pa krijuar asnjë shqetësim për shtetet anëtare të BE-së që kosovarët të hyjnë dhe të mos kthehen në Kosovë”,ka deklaruar ai për Lajmi.net
Ai, përveç tjerash, ka kërkuar edhe përfshirjen aktive të Gjermanisë dhe SHBA-së në dialogun Kosovë-Serbi, teksa ka kritikuar marrëveshjen e dalë nga Administrata Trump, konkretisht Marrëveshjen e Ëashingtonit.
Kosova më 14 shtator të vitit të kaluar arriti të nënshkruajë marrëveshjen historike në Zyrën Ovale të Uashingtonit, me kusht të normalizimit të marrëdhënieve ekonomike me Serbinë, të arritur në administratën Trump dhe të mbështetur nga administrata e Bidenit. Por, kjo marrëveshje është pranuar me qasje skeptike nga pushteti aktual në Kosovë, por edhe nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, duke e cilësuar si “shkelje kushtetuese” një nga pikat e saj, konkretisht çështjen e moratoriumit. Çfarë mendoni, a duhet të zbatojë vendi një marrëveshje të tillë?
Ben-Meir: Kjo marrëveshje e ashtuquajtur “historike”, për mendimin tim, nuk vlen pikërisht për shkak të pikës së fundit të marrëveshjes që thotë si më poshtë, “Kosova [Prishtina] do të pranojë të moratoriumin një-vjeçar, duke mos lobuar për anëtarësim në Organizatat Ndërkombëtare. Serbia [Beogradi] do të pajtohet me moratoriumin njëvjeçar të mosnjohes dhe do të përmbahet që të mos parashtrojë kërkesa zyrtare ndaj ndonjë kombi apo organizate ndërkombëtare që të mos e njohë Kosovën [Prishtinën] si shtet të pavarur. Marrëveshja hyn në fuqi menjëherë”. Për më tepër, duhet të ishte e qartë deri më tani se kjo marrëveshje ishte e vetëkënaqshme, pasi Trump donte ta projektonte veten si paqebërës, gjë që është e pabazë. Presidentja Osmani kishte të drejtë kur deklaroi se kjo marrëveshje është në kundërshtim me kushtetutën e Kosovës dhe ish-kryeministri i Kosovës, Hoti, në radhë të parë gaboi me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje.
Në raport me dialogun, ku mendoni se kanë mbetur prapa Kosova dhe Serbia? A janë deklaratat nacionaliste ato që po ngecin në procesin e dialogut mes dy palëve?
Ben-Meir: Besoj se çdo format dialogu duhet të vendosë qëllimin përfundimtar dhe meqë qëllimi përfundimtar nuk është promovimi i pavarësisë së Kosovës, atëherë të gjitha këto dialogje apo deklarata publike nuk do të kishin kuptim. Unë pohoj se nëse administrata e Biden-it dëshiron të avancojë më tutje sovranitetin e Kosovës, duhet të insistojë që çdo normalizim i marrëdhënieve duhet të çojë në këtë qëllim, pavarësisht çdo deklarate publike për të kundërtën e saj.
I ngarkuari me punë i SHBA-së në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë, Nicholas Giacobbe, ka thënë se një marrëveshje gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të arrihet në fund të mandatit të qeverisë aktuale të Kosovës. Mendoni se një deklaratë e tillë mund të jetë një ultimatum nga SHBA për të 2 vendet, në mënyrë që të gjejnë një bazë të përbashkët?
Ben-Meir: I ngarkuari me punë të SHBA-së në Ambasadën në Kosovë, Nicholas Giacobbe, gabon kur rekomandon se marrëveshjet gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të arrihen në fund të mandatit të qeverisë aktuale të Kosovës. Një deklaratë e tillë do të kishte qenë e vlefshme po të sugjeronte se SHBA-ja do të bëjë gjithçka që mundet për të lehtësuar dialogun mes dy vendeve përderisa një dialog i tillë do duhej të çojë në njohjen e Kosovës nga Serbia, gjë që në fakt nuk ndodhi.
A mendoni se, përveç BE-së, palë ndërmjetësuese duhet të jenë fuqitë kryesore si Gjermania dhe SHBA-ja në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?
Ben-Meir: Jam plotësisht dakord që nga të gjithë anëtarët e BE-së, Gjermania duhet të luajë një rol të rëndësishëm së bashku me SHBA-në në ndërmjetësimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Gjermania dëshiron të shohë Ballkanin Perëndimor pjesë e BE-së dhe si e tillë mund të luajë një rol shumë më të madh në avancimin e procesit të integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE.
Establishmenti i ri gjerman ka dhënë shpresë për liberalizimin e vizave për kosovarët, për të cilin Parlamenti Evropian ka dhënë dritën jeshile që nga viti 2015, ndonëse po kundërshtohet nga pesë shtete jo-njohëse të Këshillit të BE-së. Si mendoni se duhet të kontribuojë kancelaria e re gjermane në këtë rast?
Ben-Meir: Lejimi i liberalizimit të vizave për kosovarët mund të avancojë integrimin e Kosovës në BE. Shqetësimet e se kosovarët do të qëndrojnë në vendet e BE-së dhe nuk do të kthehen në Kosovë mund të eliminohen duke kufizuar qëndrimin për jo më shumë se 3 muaj, teksa çdo kosovar që dëshiron të qëndrojë më gjatë duhet të aplikojë për zgjatjen e vizës. Në këtë mënyrë Kosova do të arrijë një nga qëllimet e saj kryesore të rëndësishme pa krijuar asnjë shqetësim për shtetet anëtare të BE-së që kosovarët të hyjnë dhe të mos kthehen në Kosovë.
Po projekti Open Balkans, a mendoni se është gjithëpërfshirës për të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, duke qenë se 3 nga gjashtë vendet nuk po kontribuojnë për të qenë pjesë e tij, përfshirë këtu edhe Kosova? Madje këtë e thonë edhe liderët kosovarë se Ballkani i hapur është një projekt që përfiton vetëm Serbinë dhe lë pas vendet me më pak zhvillim ekonomik.
Ben-Meir: Kjo marrëveshje do të ishte e mirë nëse të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor do të merrnin pjesë në të dhe Kosova do të njihej si shtet i pavarur nga Serbia. Me pak fjalë, marrëveshja aktuale, siç është paraparë, lejon Serbinë të jetë lojtari dominues, gjë që për mendimin tim do të ketë një efekt negativ në procesin e integrimit në BE.
Cili do të jetë fati i Ballkanit Perëndimor?
Ben-Meir: Nuk kam ndonjë opinion kristal për të konstruktuar apo për të treguar se cili do të jetë fati i shteteve të Ballkanit Perëndimor. Unë e di një gjë, vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të fokusohen në zhvillimin ekonomik, barazinë sociale, përmirësimin e sistemit gjyqësor dhe trajtimin e korrupsionit. Vetëm atëherë, e ardhmja e shteteve ballkanike do të jetë sigurisht më e mirë dhe më e ndritshme.