Fillojnë hetimet për vdekjen e të burgosurës 21-vjeçare në Lipjan
Policia e Kosovës ka nisur hetimet për vdekjen e një 21-vjeçareje në Qendrën e Paraburgimit në Lipjan.
Përmes raportit, policia njofton se viktima është gjetur pa shenja jete në pavijon.
Trupi i saj është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
“Qendra e paraburgimit, Lipjan 30.12.2021-12:55. Në një pavion është gjetur pa shenja jeta viktima femër kosovare. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kujdestar. Trupi i pa jetë i viktimës dërgohet në IML për obduksion”, thuhet në raport.
Ndryshe, të enjten Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar se një 21 vjeçare e burgosur ka ndërruar jetë në Qendrën Korrektuese për Femra në Lipjan.
Shërbimi Korrektues i Kosovës njofton se rasti ka ndodhur të enjten rreth orës 12:42, transmeton Telegrafi.
“Shërbimi Korrektues i Kosovës, njofton opinionin publik se sot rreth orës 12:42 në Qendrën Korrektuese për Femra në Lipjan, e dënuara me inicialet M.K, viti i lindjes 2000, ka ndërruar jetë. Me të kuptuar për rastin, i menjëhershëm ka qenë intervenimi i stafit korrektues dhe atij mjekësor të Qendrës, por përkundër përpjekjeve për reanimim nuk kanë arritur të kthejnë në jetë”, thuhet në njoftim.
Tutje, në njoftim thuhetse e dënuara, në QKF Lipjan është pranuar me datën 27.04.2021, që nga fillimi deri 18.06.2021 ka qenë në vëzhgim çdo 15 minuta nga psikologu i Qendrës.
“Po ashtu, nga data 02.11.2021 ka qenë në vëzhgim (observim) çdo 30 minuta, i cili vëzhgim ka vazhduar. Lidhur me rastin janë njoftuar Policia e Kosovës dhe Prokurori, ndërsa SHKK ka filluar të bëjë hetimet procedurale dhe administrative, gjithashtu është themeluar Komisioni Hetimor Administrativ nga SHKK, i cili do të dal me Raport Administrativ Përfundimtar”, bëhet e ditur në njoftim.
Më tej, në njoftim thuhet se stafi mjekësor i Stacionarit të Qendrës Korrektuese për Femra në Lipjan ka përgatitur dokumentacionin e nevojshëm lidhur me rastin dhe se autopsia do të verifikojë shkakun e vdekjes.