Gjermanët shkojnë në Poloni për të blerë fishekzjarre pasi shteti ua ndalon shitblerjen
Shumë banorë të Gjermanisë të cilëve nuk u lejohet të blejnë fishekzjarre në vend para festimeve të Vitit të Ri, po shkojnë në grupe përtej kufirit drejt dyqaneve polake.
Ndalimi i fishekzjarreve u njoftua këtë muaj për të dytin vit radhazi në përpjekje për të parandaluar grumbullimet e mëdha gjatë pandemisë dhe për të lehtësuar barrën e spitaleve, të cilët rregullisht duhet të trajtojnë lëndime të rënda si djegie dhe gjymtyrë të plagosura si pasojë e aksidenteve piroteknike.
Në një dyqan të fabrikës së fishekzjarreve në Slubice, Poloni Perëndimore, afër kufirit gjerman, njerëzit që kishin udhëtuar nga e gjithë Gjermania thanë se po pritnin në radhë deri në tre orë për të blerë fishekzjarre, duke mbushur makinat dhe furgonët para festimeve.
Shumica e gjermanëve e mbështesin ndalimin e fishekzjarrëve. Sipas një sondazhi, 66 për qind të të anketuarve ishin pro këtij vendimit, ndërsa 27 për qind thanë se ishte i gabuar.
Industria piroteknike ka njoftuar se do të ndërmarrë veprime ligjore, duke e quajtur të padrejtë që klientët u lejuan të sillnin fishekzjarre nga jashtë dhe duke argumentuar se lëndimet serioze ishin “praktikisht të pamundura” nëse produktet përdoreshin siç specifikohet në udhëzime.
Prodhuesit gjermanë të fishekzjarrëve fitojnë rreth 95 për qind të përfitimit vjetor prej rreth 200 milionë eurosh në tre ditët para fillimit të vitit kur zakonisht lejohen të shiten fishekzjarret.
Gjermania është tregu më i madh në Evropë, i barabartë me atë të ShBA-së, raporton The Guardian.
Ndërkohë, sasia e fishekzjarreve të pashitura – rreth 30,000 tonë eksploziv – po rritet. Ato ruhen në rreth 30 vende të sigurisë së lartë në të gjithë vendin.